Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratat e të dërguarit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ku ky i fundit ka kërkuar njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti para mediave tha se nuk janë negociuar modele të mundshme të themelimit të Asociacionit.
“Kosova nuk i frikësohet Asociacionit, por Kosova me Qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne mbrojmë interesat e shtetit tonë, që është integriteti territorial, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet në Bruksel dhe jemi konstruktiv. Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm të punojmë dhe kur punojmë për marrëveshje, nuk bëjmë dialog për dialog. Nuk janë biseduar modele të formimit të asociacionit, të drejtat e pakicave në Kosovë janë të respektuara me nivelin më të lartë të standardeve evropiane”, ka thënë Kurti.
Ai tha se marrëveshja duhet të arrihet dhe se janë të gatshëm që të punojnë për këtë. Madje ai theksoi se edhe kur të diskutojnë, do të flasin duke e vënë theksin te ajo që po pajtohen me më shumë faktorët ndërkombëtarë.
“Marrëveshja duhet të arrihet, jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, bisedojmë për marrëveshje nuk bëjmë dialog për dialog, jemi konstruktiv jemi serioz dhe njëkohësisht e vënë theksin te ajo që po pajtohen gjithnjë me shume faktorët ndërkombëtarë e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden qe marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, ka potencuar ryeministri
Ndër të tjera, ai ka nënvizuar se interes i Kosovës mbetet integriteti territorial dhe funksionaliteti shtetëror dhe kushtetutshmëria, teksa ka lënë të nënkuptohet se Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk do të themelohet.
“Kosova me qeverinë e përgjegjshme është e kujdesshme. Ne i shërbejmë qytetarëve të republikës dhe mbrojmë interesat e vendit tonë. Interes i shtetit të pavarur të Kosovës i republikës sonë demokratike e sovrane është integriteti territorial, është funksionaliteti shtetërorë, është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria. Ne kemi dhënë propozimet tona në takimet që kemi pasur në Bruksel dhe jemi konstruktiv për bisedimet e ardhshme për dialogun që zhvillohet i lehtësuar apo i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, është përgjigjur ai.
Lajçak, ndër të tjera ka thënë se Kosova është e barabartë në dialog dhe se sipas tij nuk duhet t’i frikësohet krijimit të një Asociacioni.
“Nuk keni nevojë të frikësoheni nga një proces që ju jeni duke e drejtuar me Serbinë. Çdo vendim që do të merret do të bazohen në standardet dhe normat evropiane”, ka thënë Lajçak në konferencën për shtyp të mbajtur në Prishtinë”, ka thënë ai. /Gazeta Enigma/.