Në mesin e 56 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë aplikuar në ambasadën e Gjermanisë për viza pune, qindra prej tyre janë ushtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës.
Aplikimet e shumta të ushtarëve të FSK-së për të ikur nga Kosova i ka konfirmuar për Albanian Post edhe një burim brenda Ministrisë së Mbrojtjes.
“Gjithmonë ka pas aplikime të shumta në numër”, ka thënë burimi, i cili e ka pranuar që ky numër i lartë është shqetësim i ngritur prej kohësh brenda ministrisë.
“Shqetësuese ka qenë gjithmonë. Ka djem që kanë e kanë përfunduar master e janë ushtarë”, prej atyre që duan të largohen nga Kosova.
Për numrin e madh të ushtarakëve të FSK-së që duan të largohen AP merr vesh se edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, e ka njoftuar ministrin e Mbrojtës Armend Mehaj.
Duke pasur si shqetësim këtë largim të ushtarëve të FSK-së, burimi brenda ministrisë ka thënë se po “merren hapa për me ua rritë pagat dhe nuk do të ketë ushtarë nën 500 euro pagë”.
AP kupton se kjo ishte edhe arsyeja përse Ministria e Mbrojtës do ta bëjë edhe një analizë për të parë moralin e ushtarëve të FSK-së.
Ndërkaq për këtë çështje ka shkruar në Facebook edhe analisti politik Gazmir Raci.
A e ka pyetur ministrin e Mbrojtës Armend Mehaj se “a është e vërtetë që “800 ushtarë të Kosovës kanë aplikuar për viza pune?”.
Zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes nuk janë përgjigjur në pyetjet e Albanian Post rreth kësaj çështje.