Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga dita e enjte, qytetarët mund të vaksinoheni kundër-COVID19 edhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, në kryeqytet.
Në njoftim është bërë e ditur se pika e re e vaksinimit do të aktivizohet me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për marrjen e vaksinës, për qytetarët, raporton Gazeta Enigma.
“Komiteti për imunizim kundër COVID-19 i Ministrisë së Shëndetësisë informon qytetarët se gjatë ditës së nesërme, në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës do të aktivizohet një pikë e re e vaksinimit kundër COVID-19, me qëllim të ofrimit të sa më shumë mundësive për qytetarët për marrjen e vaksinës”, ka njoftuar MSh-ja të mërkurën.
Të pranishëm në hapjen e kësaj pike do të jenë ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Prishtinës.
“Me rastin e fillimit të vaksinimit në këtë pikë shtesë, të pranishëm do të jenë Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama si dhe përfaqësues nga UNICEF-i, USAID-i dhe kontribuues të tjerë në procesin e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë. Hapja zyrtare e kësaj pike të vaksinimit do të bëhet të enjten (10 shkurt 2022) në ora 12:30 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë”, bën të ditur MSh-ja.
Po ashtu, MSh-ja ka bërë të ditur se përveç pikave ekzistuese, së shpejti do të fillojë punën edhe një në Kodrën e Trimave.
“Vaksinimi kundër COVID-19 në Prishtinë, përveç në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir), në Qendrën Tregtare “Albi Mall” dhe në sheshin “Zahir Pajaziti”, së shpejti do të fillojë edhe në një pikë tjetër të re në Kodrën e Trimave në Prishtinë (QMF-2). Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe të vaksinohen kundër COVID-19”, ka njoftuar MSh.
/Gazeta Enigma/