Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut, 15 vjet më parë.
Derisa mijëra protestues kundërshtonin dokumentin e Ahtisaarit, protesta eskaloi në momentin që u hoqën rrethojat e vendosura në mes të sheshit. Ishte policia rumune e UNMIK-ut ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse.
Përveç vrasjes së dy aktivistëve, kishte edhe shumë të plagosur. Ndërkohë, lotsjellësi që është përdorur nuk ishte parë asnjëherë më herët. Madje, era e lotsjellësit nuk u hoq për pesë ditë nga sheshet e Prishtinës.
KMDLNJ kërkoi drejtësi për viktimat e 10 shkurtit, si dhe ka kërkuar që Arben Xheladini dhe Mon Balaj të pranohen si viktima politike, ndërsa familjet e tyre ta fitojnë të drejtën që e gëzojnë familjet e viktimave civile të luftës.
KMDLNJ ka reaguar edhe për të plagosurit e kësaj proteste, duke thënë se duhet të kompensohen moralisht dhe materialisht, në përputhje me ligjin.
Me rastin e shënimit të kësaj dite, Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë një sërë aktivitetesh, si homazhe te varret e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, nderime te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë”, si dhe do të shfaqet një film dokumentar në Teatrin Kombëtar, si dhe në qendrat e Vetëvendosjes. / Gazeta Enigma.