Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), së bashku me një grup të organizatave mediatike, shoqatave dhe sindikatave, i ka shkruar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke u bërë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të përdorimit të gjuhës diskkredituese dhe denigruese që shënjestron gazetarët, të organizuar nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Zyrën e Presidentes dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.shkruan Gazeta Enigma.
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), ka shkruar se gjuha denigruese e zyrtarëve public ka nxitur publikun kundër gazetarëve.
Më poshte gjeni letrën e nënshkruar nga organizata të ndryshme evropiane dhe asociacionet e gazetarëve nga vendet e rajonit drejtuar presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Ne, organizatat e nënshkruara, bëjmë thirrje për t’i dhënë fund menjëhere gjuhës diskredituese dhe denigruese ndaj publikimeve mediatike nga zyrtarë dhe individë të lidhur me partinë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Zyrën e Presidentit dhe institucione të tjera të nivelit të lartë.Ditët e fundit jemi shqetësuar nga mesazhet në rrjetet sociale me origjinë nga politikanë dhe zyrtarë që kanë shërbyer për të nxitur publikun kundër gazetarëve. Këto përfshijnë, për shembull, komentet në Facebook nga zëdhënësit dhe këshilltarët për media të Zyrës së Kryeministrit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, duke folur në emër të partive që përfaqësojnë, nënkuptuan se media u përpoq të përmbyste dhe minonte Presidenten përmes raportimeve te tyre. Shqetësuese janë edhe komentet në Facebook të bashkëshortit të Presidentes, Prindon Sadriu, i cili i quajti gazetarët një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, një koncept i ngarkuar, veçanërisht në Ballkan.Të marra së bashku, këto komente kanë rezultuar efektivisht në një mori abuzimesh në internet nga mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke pas shënjestër gazetarët dhe aktivistët kritikë dhe të pavarur, veçanërisht gratë. Për më tepër, kur përdoren terma të tillë si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kemi frikë se komente të tilla mund të ndikojnë negativisht edhe në sigurinë fizike të gazetarëve duke denigruar profesionin dhe duke kontribuar në një klimë armiqësore.Rasti në fjalë rrjedh nga një artikull i botuar nga një media online dhe i ribotuar nga një tjetër më 4 shkurt, në lidhje me shpenzimet e karburantit të deputetëve të parlamentit. Këto publikime përfshinin një gabim dhe më vonë u ndryshuan, së bashku me një falje publike. Është e rëndësishme që të gjitha mediat të respektojnë standardet profesionale dhe të ndjekin Kodin e Etikës gazetareske. Megjithatë, vlerësojmë se përgjigja ndaj këtyre gabimeve nga zyrtarë të caktuar qeveritarë dhe partiakë ka qenë joproporcionale dhe ka sjellë armiqësi të pajustifikuar ndaj mediave.Për më tepër, përdorimi i gjuhës diskredituese përfshin një kontekst më të gjerë problematik në të cilin individët e lidhur me Vetëvendosjen përpiqen të minojnë besimin e publikut në media. Ne jemi të shqetësuar se kjo strategji e nxitjes së publikut kundër mediave dhe aktivistëve kritikë dhe të pavarur është e rrezikshme për sigurinë fizike të gazetarëve dhe ka një efekt që minon vlerat demokratike. Sidomos duke marrë parasysh ambicien e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne besojmë se është me rëndësi të madhe që politikanët, përfaqësuesit e partive dhe figurat publike të respektojnë lirinë e medias dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
Prandaj, i bëjmë thirrje Presidentes dhe Kryeministrit që të sigurojnë që një gjuhë e tillë nxitëse e drejtuar ndaj mediave nga aparati i tyre partiak të pushojë, tani dhe në të ardhmen”.
Letra u nënshkrua nga organizatat si më vijim:
European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)European Federation of Journalists (EFJ)
Index on Censorship
International Press Institute (IPI)
SafeJournalists netëork (Association of Journalists of Kosovo, Association of Journalists of Macedonia, BH Journalists Association, Croatian Journalists’ Association, Independent Journalists Association of Serbia, Trade Union of Media of Montenegro)
The Daphne Caruana Galizia Foundation