Ambasadori i Rusisë në BE ka thënë se Moska do të ishte brenda të drejtës së saj për ta nisur një “kundërsulm” nëse mendon se duhet t’i mbrojë qytetarët rusë që jetojnë në Ukrainën lindore.
“Ne nuk do ta pushtojmë Ukrainën nëse nuk provokohemi për ta bërë këtë”, tha Vladimir Chizhov, i cili e ka përfaqësuar Rusinë në Bruksel që nga viti 2005.
“Nëse ukrainasit nisin një sulm kundër Rusisë, nuk duhet të habiteni nëse ne kundërsulmojmë. Ose, nëse ata fillojnë t’i vrasin hapur qytetarët rusë kudo – Donbas apo kudo”, shton ai.
Donbasi është rajoni i Ukrainës lindore ku Kremlini ka armatosur dhe financuar një kryengritje që nga viti 2014. Gjithashtu, vitet e fundit, ai ka shpërndarë qindra mijëra pasaporta ruse për banorët e dy të ashtuquajturave “republika popullore”, të cilat nuk janë kontrolluar më gjatë nga Kievi, raporton The Guardian, përcjell Gazeta Enigma.
Më shumë se 14,000 njerëz janë vrarë në konflikt që nga viti 2014.
Rusia e ka mohuar gjithmonë se është palë në konflikt, pavarësisht provave dërrmuese për të kundërtën. Chizhov i përshkroi pretendimet se trupat ruse janë tashmë në rajonin e Donbasit si “gënjeshtër”, por paralajmëroi se një përshkallëzim i papritur i konfliktit atje, ose një “provokim ukrainas”, mund t’i përshpejtojë veprimet nga Kremlini.
“Ajo që dua të them me provokim është se ata mund të organizojnë një incident kundër republikave të vetëshpallura të Donbasit, duke i provokuar dhe më pas duke i goditur me të gjitha forcat e tyre, duke provokuar kështu Rusinë të reagojë për ta shmangur katastrofën humanitare në kufijtë e saj”, tha ai.
Qeveria amerikane ka pretenduar se ka prova se Moska po planifikon pikërisht atë lloj provokimi që Chizhov tha se Kievi mund ta nisë. Zyrtarët amerikanë dolën publikisht muajin e kaluar duke thënë se kanë prova të një plani për të bërë një video të rreme të një kinse sulmi ukrainaes, si pretekst për ta pushtuar Ukrainën.
Me rreth 145,000 trupa ruse në kufirin me Ukrainën, zyrtarët e inteligjencës në SHBA thanë gjatë fundjavës se Rusia i ka përshpejtuar planet për pushtimin e Ukrainës dhe se mund t’i lëvizë trupat përtej kufirit shumë shpejt.