Ish-prokuroroi special, Elez Blakaj, ka adresuar kritika të ashpra ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, të cilit i përfundon mandati në prill të këtij viti. Sipas tij inçizimet dëshmojnë se nga cilat interesa është udhëhequr Lumezi.
Blakaj, ka thënë se ka incizime për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin, se si kanë rrjedhur informacionet, pasi ky i fundit në Konferencë Vjetore të Prokurorëve ka theksuar se “kam pasur privilegjin që të ushtroj funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit ekskluzivisht i udhëhequr vetëm nga interesat e sistemit prokurorial dhe nga zbatimi i kompetencave kushtetuese dhe ligjore”.
“E more Kryeprokuror, po harron se ka dëshmi të mjaftueshme të cilat tregojnë saktë, mënyrën si ke ardhur, si dhe çfarë ke punuar më të vërtetë gjatë mandatit tuaj”, ka shkruar Blakaj në Facebook.
“Rrjedhja e informacioneve nga takimet të cilat i keni pasur me bashkëpunëtorët tuaj të ngushtë dhe të besueshëm e deri tek incizimet, e dëshmojnë saktë nga cilat interesa jeni udhëhequr”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se “për këtë nuk jam i befasuar, se ju jeni mësuar t’ia lëshoni njëri tjetrit”.
“Pra, është produkt tipik i mentalitetit të cilin ju e keni krijuar, andaj mos u befaso se disa i ki edhe kandidat për Kryeprokuror”.
“Ndërsa sa i përket privilegjit në ushtrimin e detyrës se Kryeprokurorit ju kuptoj plotësisht, por të lutëm mos e harro edhe shokun tuaj, policin e krimeve ekonomike sepse edhe ai ka pas hise në atë privilegj”.
“Është për keqardhje që edhe pas përfundimit të mandatit tuaj, ju do të vazhdoni të merrni më shumë se 2000 euro apo 70% të pagës suaj, nga buxheti i qytetarëve të cilët fare pak të besojnë”.
Blakaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit në gusht të vitit 2018.
Ai ishte larguar nga Kosova, pasi është ankuar për presion gjatë punës së tij.
Ish-prokurori Blakaj kishte qenë duke hetuar dyshimet për keqpërdorime në listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa është marrë edhe me disa raste të gjykimeve për terrorizëm.