Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ), i ka hedhur poshtë deklarimet e kryediplomatit rus, Sergei Lavrov, i cili theksoi se Kosova po dërgon mercenarë në Ukrainë, raportob Gazeta “Enigma”.
Nga MPJ i kanë quajtur tendencioze dhe të pavërteta këto deklarime.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës hedh poshtë në mënyrë kategorike si të pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim të agjencisë të lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se kinse “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin…”, thuhet në reagim.
Këto deklarata, MPJD i konsideron pjesë të fushatës së egër të propagandës ruse.
“Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla. MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
Ministria e Punëve të Jashtme thotë se Rusia dëshiron që kësisoj ta tensionojë situatën edhe në Kosovë dhe në gjithë rajonin përmes Serbisë, ndërsa shpreh solidaritet me popullin e Ukrainës.
“Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë. MPJD shpreh solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre. Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme”, thuhet në reagim. / Gazeta Enigma.