Lionel Messi iu bashkua Paris Saint-Germain në afatin e verës kur kontrata e tij me Barcelonën skadoi dhe u bë e qartë se klubi katalunas, me vështirësi financiare, nuk mund të përballonte rinovimin e kontratës së tij.
Argjentinasi konsiderohet nga shumë si lojtari më i madh që ka luajtur ndonjëherë futboll, kështu që largimi i tij nga Barcelona dhe transferimi në Francë shkaktoi bujë të madhe.
Megjithatë, gjërat nuk kanë funksionuar saktësisht siç priste Messi. Ai nuk ka luajtur keq; ai ka shënuar dy gola dhe nëntë asistime në Ligue 1 si dhe pesë gola në Ligën e Kampionëve.
Por, ai nuk e ka udhëhequr ekipin dhe nuk ka mahnitur ashtu siç pritej. As Neymar, bashkëlojtari i tij i vjetër nga Barcelona. Njeriu më vendimtar për PSG-në ka qenë Kylian Mbappe, veçanërisht në ndeshjen e javës së kaluar në Ligën e Kampionëve me Real Madridin.
Mbappe shënoi golin e fitores, për të lënë hapësirë për një ndeshje të dytë të madhe në Santiago Bernabeu më 9 mars.
Messi tashmë ka folur për marrëdhënien që gëzon me shokët e tij të skuadrës, si dhe për mënyrën se si e gjen veten duke luajtur në Parc des Princes pas një karriere të tërë në Camp Nou.
“Unë e njoh Angel di Marian dhe Neymarin më parë. Nuk e njihja Kylianin, por pak nga pak jemi njohur dhe jemi përpjekur të lidhemi më mirë në fushë, për t’u bërë më rehat me njëri-tjetrin”, ka thënë fillimisht Messi për Marca.
“Kam qenë me fat që jam me më të mirët te Barcelona dhe jam edhe te PSG. Jam i lumtur dhe dua të vazhdoj ta bëj mirë”.
“Parc des Princes është një stadium shumë i veçantë për shkak të mënyrës se si njerëzit e përjetojnë atë, ata janë vazhdimisht duke kënduar. E kisha përjetuar tashmë më parë kur vija me Barcelonën, por ta kem atë çdo të dytën fundjavë është mirë”.
“E ndjen atmosferën, nuk pushojnë së kënduari për asnjë minutë, shpërthejnë kur ka gol. Është një stadium që bën shumë zhurmë”, përfundoi ylli argjentinas.