Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, të martën paralajmroi se paga minimale në Kosovë do të rritet në 250 euro, raporton Gazeta “Enigma”.
Në prezantimin e studimit, “Perspektiven e Përgjithshme: Agjenda Progresive Ekonomike për Kosovën” nga Zyra e Fondacionit Gjerman Friedrich Ebert (FES), Bislimi, tha se grupet që diskutojnë për pagën minimale duhet të jenë ekspertë dhe jo grupe të interesit.
Sipas tij, nuk mund të kenë interes sindikatat për pagën minimale, pasi siç tha s’ka asnjë logjik që dikush të hyjë në sindikatë, kur merr pagën minimale.
“I kuptoj shqetësimet për pagën minimale. Modeli që keni hartuar është pothuajse 100% në përputhshmëri me objektivat e qeverisë. Mendojmë gjithashtu se paga minimale duhet të jetë rreth numrit magjik, 250 euro. Për mua është shumë e rëndësishme të kuptohen, dy elementë. Paga minimale nuk duhet të jetë një pengesë në krijimin e vendeve të punës për punëtorët me produktivitet të ulët. Pra, duhet të sigurohemi që ajo të mos kalojë një prag të caktuar, si pjesë e pagës mesatare. Studimet e tregut të punës kanë treguar se kalueshmëria është rreth 56 për qind e pagës mesatare”, tha ai.
Tutje ai shtoi se “Sapo të bëhet më e lartë se 56%, atëherë i dëmton njerëzit[…]Dhe elementi i dytë që është shumë i rëndësishëm për mua, është të sigurohemi që grupet që diskutojnë për pagën minimale duhet të jenë ato që kanë të drejtë të flasin, nuk duhet të jenë grupet e interesit, që do të kishin interes të përjashtonin këtë grup të caktuar punëtorësh nga konkurrenca. Dhe në këtë kontekst, nuk e kuptoj interesin që mund të kenë sindikatat për pagën minimale, sepse sindikatat duhet të përfaqësojnë njerëzit të cilëve nuk u paguhet paga minimale. Pra, nga ky këndvështrim, fituesit e pagës minimale janë konkurrentë për sindikatat. Nuk ka asnjë logjikë që dikush të hyjë në sindikatë, nëse ai ose ajo e merr pagën minimale”, tha ai.
Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili kërkoi nga ekzekutivi politika progresive. Ai foli edhe për rolin e sindikatave në shoqëri, ku tha se fuqia e tyre në ekonominë moderne është zhdukur.
“Sindikatat gjermane kanë qenë pothuajse kundër pagës minimale, por parametrat ndryshojnë sepse fuqia e sindikatave u zhduk në ekonominë moderne, si në “gig” ekonominë, ekonomia e përbashkët, këta njerëz nuk janë të sindikalizuar, dhe këtë vit, qeveria e re e zgjedhur socialdemokrate do të rrisë paga minimale në Gjermani për njëzet për qind, sepse është treguar se fuqia e sindikatave nuk është më aq e fortë, ngase miliona njerëz mund të konkurrojnë ose kanë të ardhura të mira në tregun e punës. Uroj që Qeveria në Kosovë të ketë vullnet politik për të përmbushur politikën progresive e cila përmban elemente të parashtruara në studim”, theksoi ai.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Kosova ka nevojë për politika që promovojnë barazinë dhe drejtësinë sociale. / Gazeta Enigma.