Me një natë të rëndë u ballafaqua mbrëmë populli ukrainas, ku trupat ruse hynë në dy qytete kryesore, Kharkiv dhe Kiev, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në orët e para të mëngjesit, trupat ruse kanë zbritur me parashutë në Kharkiv, duke sulmuar qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, i cili pa dhjetëra vrasje civile në bombardimet dje.
Qyteti më i vogël jugor Kherson ka rënë gjithashtu në duart e forcave ruse, thonë zyrtarët lokalë ukrainas.
Pas këtyre zhvillimeve, presidenti i ShBA-ve, Joe Biden ka ndaluar aeroplanët rusë nga hapësira ajrore e Amerikës.
Në fjalimin e tij për gjendjen e Bashkimit, presidenti amerikan tha: “Putini mund të rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë nuk do të fitojë zemrat dhe shpirtrat e popullit ukrainas”.
Ndërkohë më shumë se 600,000 njerëz janë larguar nga Ukraina deri më tani, thotë OKB.
Boeing dhe ExxonMobil u bënë kompanitë e fundit perëndimore që ndërprenë lidhjet me Rusinë, transmeton Klankosova.tv.
Më shumë se 660,000 persona janë larguar nga Ukraina prej nisjes së sulmit rus, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Polonia ka raportuar për fluksin më të madh.
Vlerësohet se 450,000 refugjatë kanë arritur në Poloni, ka thënë zëvendësministri i Brendshëm polak, Pawel Szefernaker, për radion private Zet.
Të paktën 21 viktima nga sulmet në Harkiv
Të paktën 21 persona janë vrarë dhe 112 janë plagosur pas sulmeve në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv.
Guvernatori i Administratës Rajonale të Harkivit, Oleh Synegubov, ka thënë se të gjitha sulmet ruse “janë zmbrapsur” dhe pozicionet janë mbajtur, pavarësisht bombardimeve të martën dhe në orët e para të mëngjesit të mërkurës.
Ai ka thënë se “armiku rus është përballur me humbje të mëdha”.
Mediat kanë raportuar se trupat ruse kanë hyrë në zonat veriore dhe verilindore të qytetit, teksa ky territor është sulmuar nga ajri.
Disa civilë mbesin të vrarë nga sulmet në Zhytomyr
Autoritetet ukrainase kanë njoftuar se sulmet ruse me raketa kanë lënë të vdekur të paktën dy persona të vdekur në qytetin Zhytomyr, i cili gjendet 120 kilometra në perëndim të Kievit.
Sulmi, i cili ka pasur cak një bazë ajrore në qytet, ka goditur shtëpi në afërsi.
Ministria e Brendshme ukrainase ka thënë se të paktën dy persona kanë vdekur dhe 16 të tjerë janë të plagosur.
Një zyrtar qeveritar, Anton Gerashchenko, ka thënë më herët se shifrat e viktimave janë edhe më të larta.
“Deri më tani katër persona kanë vdekur. Përfshirë një fëmijë”, ka thënë ai. / Gazeta Enigma.