Kryetari i Kyivit, Vitali Klitschko tha për CNN se ndërsa ai ka udhëtuar globin duke përfaqësuar vendin e tij si boksier, tani ai është shumë krenar që është ukrainas.
“Kemi qëndruar përballë një prej ushtrive më të forta në botë”, tha ish-kampioni botëror i boksit në peshat e rënda. “Vullneti për të qenë të pavarur është prioriteti kryesor për ne. Dhe ne po i mbrojmë familjet tona, qytetin tonë, vendin tonë dhe të ardhmen tonë”.
Klitschko gjithashtu bëri thirrje që vendet tjera ta mbështesin Ukrainën, sepse tha se do të jetë “e vështirë të mbijetosh” pa të.
Klitschko tha se infrastruktura – energjia elektrike, ngrohja dhe uji – funksionojnë në Kyiv. Ai tha se autoritetet janë në komunikim të drejtpërdrejtë me Kryqin e Kuq dhe organizata të tjera humanitare, të cilat kanë dërguar ushqim dhe mbështetje që është rrugës për në kryeqytetin ukrainas.
Ajo që me të vërtetë i nevojitet Kyivit, tha Klitschko, janë “sanksione më të forta kundër Rusisë”.
“Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar”, tha ai. “Lufta nuk është vetëm për Ukrainën. Është sfidë për të gjithë botën moderne, për botën demokratike”.
Klitschko akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se po përpiqet ta rindërtojë Bashkimin Sovjetik dhe ta bëjë Ukrainën “pjesë të një perandorie ruse”.
Kryetari tha se ukrainasit do të luftojnë për “çdo shesh” dhe “çdo rrugë” të Kyivit nëse forcat ruse hyjnë në qytet.
“Ne presim një luftë të madhe”, tha Klitschko, “Por ne po luftojmë për familjet tona”.
Ish-boksieri shtoi: “Ka një lëvizje të madhe patriotike tani. Të moshuar – mund ta imagjinoni – mjekë, aktorë, aktorë nga teatri, shumë profesione që nuk kishin pritur kurrë të luftonin, të mbanin armë, tani ata vijnë tek ne”, tha Klitschko. “Ata janë gati për të luftuar. Është e mahnitshme”.