Serhiy Stahovski, një tenist ukrainas i cili e përfundoi karrierën e tij në fillim të këtij viti me një humbje në fillimin e kualifikimeve të Australian Open, vendosi të mbrojë Ukrainën si vullnetar nga pushtimi rus.
“Ushtria ka hapur një vend për ushtarët rezervë, për këdo që dëshiron të luftojë, të marrë armët dhe të jetë pjesë e mbrojtjes së territorit, ka shumë vullnetarë, mes tyre edhe unë, formularin e aplikimit e kam firmosur javën e kaluar. Nuk i kam dokumentet e nevojshme. Nuk kam përvojë ushtarake, por di të përdorë armët”, tha 36-vjeçari Stahovski.
Stahovski i veshur me uniformë ushtarake është paraqitur në emisionin ‘Good Morning Britain’.
“Mbështetja që marrim është e madhe. Kufizimet dhe sanksionet ndaj rusëve në aspektin sportiv janë të mëdha dhe funksionojnë, por ato nuk do ta ndalojnë Putinin. Nuk e kisha menduar kurrë se kjo do të ndodhte dhe do të isha në luftë. Jemi dënuar sepse duam një jetë më të mirë dhe ne duam të jemi Evropë”, tha Stahovski, i cili më së shumti mbahet mend për fitoren ndaj Roger Federer në vitin 2013 në Wimbledon.
Ukrainasi fitoi katër tituj. Ai e fitoi turneun për herë të parë në Zagreb në vitin 2008 kur mposhti Ivan Ljubicic në finale. Ai ka fituar më shumë se pesë milionë e gjysmë dollarë në turne në karrierën e tij. Pak ditë më parë ai la familjen në Hungari dhe u kthye në Ukrainë.
“Fëmijët nuk e dinë se ku jam, dhe gruaja ime nuk më foli gjatë gjithë ditës kur i tregova vendimin. Nuk pata kohë të stërvitem. Unë di të përdor armën, shpresojë të mos e përdor, por nëse rrezikohem do ta bëjë. Në beteja tokësore jemi më të fortë sepse po mbrojmë vendin tonë dhe ata po vijnë pa moral”, përfundoi ai.
Dje, ai postoi një video në Instagram të granatimeve ruse të Kharkiv, duke shkruar: “Putin, ne do të kërcejmë në varrin tënd”.