Një litër naftë në Kosovë pritet të shkojë deri në 2 euro

Një litër naftë në Kosovë pritet të shkojë deri në 2 euro

Lufta në mes të Rusisë dhe Ukrainës ka ndikuar në rritjen e çmimit të derivateve në botë, shtrenjtimi i cili e ka prekur edhe Kosovën, pasi një litër naftë ka arritur çmimin mbi 1.60 euro, shkruan Gazeta ‘Enigma’.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’ ka theksuar se rritja e çmimit të derivateve e ka prekur edhe Kosovën.

Sipas Berjanit çmimi i naftës dhe benzinës është duke u rritur për çdo ditë nga 8 deri në 10 centë.

Tutje ai ka shtuar se çmimet e karburanteve tashmë kanë arritur në mbi 1.60 euro, por naftëtarët paralajmërojnë se një litër naftë do të arrijë në 2 euro.

Kryetari i kësaj shoqate për Gazetën ‘Enigma’ ka thënë se çmimet sot kanë mbërri deri në 1 euro e 61 centë.

“Sot çmimet derivateve në tregun e Kosovës sillen prej 1.55 deri në 1 euro 61 centë. Ndërsa, çmimet e furnizimeve sot janë 1.56 centë…Këto janë çmime ekstreme, lufta e ka bërë të veten, çmimet janë enorme të shtrenjta dhe janë duke u shtrenjtuar në çdo moment”, ka thënë Berjani.

Berjani ka theksuar se sipas trendit çmimet do të rriten deri në 2 euro.

“Sa i përket çmimeve se a do të shkon deri në 2 euro për një litër naftë, trendi është duke treguar se do të rriten çmimet dhe do të arrijnë 2 euro, në Shqipëri veç ka mbërri 2.20, kështu që kjo pritet të jetë edhe në Kosovë”, ka përfunduar Berjani. 

Rritja e çmimeve të naftës po bëhet e pa përballueshme për qytetarët e  Kosovës pasi po e rëndon xhepin e qytetarëve.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Lidhur me këtë çështje ka reaguar kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili ka akuzuar Qeverinë se po i rëndon edhe më shumë qytetarët me akcizë dhe me tatim për litër naftë, pas shtrenjtimit. Sipas tij, për çdo litër naftë, që sot kushton 1.60 euro, shteti i fiton 60 centë.

Përveç akuzave, ai i ka edhe katër propozime për Qeverinë

1. Të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja në naftë për tre muajtë e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim përballueshmërinë jo vetëm të qytetarëve tanë, por sidomos të bujqve e transportuesve në vend, ndikimi i të cilëve në produkte e shërbime të tjera do të jetë edhe më i lartë.

2. Në vijë me praktikat e shumta ndërkombëtare, të vendoset racionimi i sasisë së naftës që një individ mund të blejë. Duhet të pranojmë që jemi në krizë, furnizimet e kufizuara duhet të ndodhin sa më parë.

3. Qeveria të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjate. Në kohë si këto, relacionet ndërshtetërore janë esenciale.

4. Të ofrohet një plan afatgjatë i përballueshmërisë. Qeveria të reagojë sa më parë. Ndonëse do të jetë sërish e fundit në reagim, praktika e vëzhgimit e arsyetimit se kjo është krizë globale është braktisje e re e qytetarëve edhe në një krizë./Gazeta Enigma/

Related Articles