Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, ka bërë një thirrje drejt liderëve të botës demokratike, referuar situatës së krijuar pas luftimeve kundër agresionit rus.
Ai është shprehur se ukrainasit janë duke u përballur me gjenocid, ndërsa bën thirrje që bota e lirë të ndërmarrë masa, përcjell Gazeta Enigma.
“Dy javë më parë bota ndryshoi. Gjithçka ka ndryshuar, edhe pse jo të gjithë e kuptojnë. Rusia ka sulmuar në mënyrë eksplicite Ukrainën. Tani Kremlini po lufton demonstrativisht kundër popullit tim. Kjo po ndodh në zemër të Europës. Raketat fluturojnë qindra kilometra. Dhe qytetet paqësore janë nën sulm. Sot janë qytetet tona. E nesërmja mund të jetë e kujtdo. E juaja”.
“Ushtarët rusë sillen si terroristë dhe frikacakë. Gjatë 11 ditëve, pushtuesit rusë shkatërruan më shumë se 200 shkolla ukrainase, 34 spitale, më shumë se 1500 ndërtesa banimi. Tashmë është konfirmuar se ushtria ruse vrau 38 fëmijë ukrainas, më shumë se 70 u plagosën. Armiku organizoi një akt të vërtetë gjenocidi kundër Ukrainës. Vetëm në Mariupol, 400,000 ukrainas u morën peng. Ata u granatuan vazhdimisht nga avionë, artileri reaktive dhe raketa”.
“Ku janë vlerat dhe idealet tuaja?”, bën thirrje ai.
“Pushtuesit rusë qëllojnë korridoret humanitare përmes të cilave civilët përpiqen të arratisen. Ata vrasin ata që premtuan se do t’i lëshonin. Ata vrasin ata që përpiqen të shpëtojnë. Këto janë krime lufte. Ky është një trishtim kaq i tmerrshëm për Ukrainën. E megjithatë, më lejoni t’ju kujtoj se ushtarët rusë po vrasin banorët e një vendi europian”.
“Ku janë vlerat dhe idealet tuaja? Ku është puna e organizatave ndërkombëtare që kushton miliarda dollarë? Ku janë OKB-ja, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, OSBE-ja? Ata u fshehën”.
Reznikov shtoi se “rreth 10,000 studentë nga vende të tjera në Ukrainë janë sot objektivi i terroristëve të Putinit. Më shumë se 2000 prej tyre tashmë janë marrë peng nga ushtarët rusë”.
“Sot dua t’ju them një gjë – mos kini frikë. Mos kini frikë! Siç nuk kemi frikë ne. Në 11 ditë, Ukraina ekspozoi mitin e fuqisë ushtarake të Rusisë. Gjatë 11 ditëve, luftëtarët ukrainas shkatërruan mbi 11,000 ushtarë rusë. Kjo është më shumë se gjatë dy luftërave çeçene, të cilat zgjatën 6 vjet”.
“Sot, Europa ka mundësinë ta mposhtë një tiran që ka frikësuar të gjithë rreth tij për dekada të tëra. Rusia nuk do të jetë në gjendje të na mundë në betejë të hapur. Nuk do të mund të na frikësojnë me granatimet kriminale të qyteteve tona. Për të fituar, ne kemi nevojë për ndihmë – një qiell i mbyllur dhe armë. Ne do të mbrojmë veten dhe ju. Ne nuk kemi frikë nga rusët. Janë ata që ikin”, tha ministri ukrainas.
Reznikov i kërkoi Perëndimit që ta shtojë presionin ndaj Rusisë.
“Bota ka ndryshuar. Ju duhet të merrni vendime shumë shpejt. Dua të them, lufta po bëhet në Europë. Kremlini mund të shkaktojë zjarre të reja”.
”Ne do të luftojmë dhe do të fitojmë gjithsesi. I gjithë populli ukrainas do të rezistojë. Por ndihma juaj do të shpëtojë jetë. Përfshirë jetën e fëmijëve dhe të afërmve tuaj. Çdo ditë lufte nënkupton dhjetëra vdekje civile”./Gazeta Enigma/