Kanë përfunduar tri përballjet hapëse të xhiros së 24-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Malisheva ia ka shkaktuar disfatën e parë pas gjashtë ndeshjeve me bilanc të qindpërqind Ballkanit në krye me Ilir Dajën.
Ballkani pësoi humbje 2:0 nga Malisheva në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Mërgim Pefqeli në minutën e 41-të dhe Arbër Pira tre minuta më vonë ishin autorët e golave të fitores për skuadrën e Arsim Thaqit.
Fitore ka marrë edhe Prishtina, por dukshëm më të lehtë. Kampionët në fuqi të Kosovës triumfuan 0:3 te Feronikeli në Drenas.
Oto John në minutën e 32-të, Besnik Krasniqi në të 41-tën dhe Sulley 20 minuta pa përfunduar ndeshja ishin realizatorët e golave për “bardhekaltrit”.
Me barazim është mbyllur ndeshja e dy skuadrave që synojnë mbetjen në elitë. Ulpiana dhe Dukagjini barazuan 1:1 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Basriu i mysafirëve shënoi autogol pas 49 minutave lojë, ndërsa gabimin e tij e përmisoi Arbër Shala që barazoi shifrat në minutën e 68-të, njëherit golin për epilogun përfundimtar të takimit.
/Gazeta Enigma/