Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën se parasheh 50 milionë euro për subvencione në bujqësi këtë vit.
Sipas konceptit të risive në programin e pagesave direkte, për herë të parë nga paslufta subvencionohet nafta për fermerët.
Në një konferencë për media, Kurti tha se sivjet nuk do të ketë vonesa në ndarjen e subvencioneve.
“Vitin e kaluar e patëm bërë të ditur se thirrjet për aplikime për subvencione për këtë vit do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe atë po e bëjmë. Programet e subvencionimit do të bëhen në këtë muaj, pra në muajin mars. Nuk do të kemi vonesa por vendosjen rekorde të programeve mbështetëse për bujqit. Investimet dhe përkrahja në këtë sektor kërkojnë vëmendje dhe planifikim ashtu që të kemi zbatimin e duhur”, ka deklaruar ai.
Ky vendim sipas Kurtit do të ulë varësinë ndaj importit të prodhimeve agro-ushqimore.
“Tek ne prodhimi i ulët vendor, varësia e plotë ndaj importit dhe si importues neto të prodhimeve agro ushqimore ka bërë që të goditemi të parët nga krizat ma të vogla. Nafta paraqet një ndër shpenzimet kryesore operative përmes fermerëve. Deri këtë vit përkundër premtimeve që janë dhënë asnjë qeveri nuk i ka përkrahur bujqit në këtë drejtim “, tha kryeministri.
Po ashtu 8 milionë euro do të ndahen për inpute bujqësore për plehërimin pranveror.
“Njëherit me një vlerë 8 milionë euro për grurin, misrin, fasulen dhe pataten do të subvencionojmë inputet bujqësore për plehërim pranveror në vlerë prej 150 euro për hektarë për grupin ndërsa me nga 100 euro për hektarë për misrin, fasulen dhe pataten”, tha ministri i bujqësisë, Faton Peci.
“Përkrahja do të jetë substanciale për shumicën e produkteve e veçanërisht të atyre substanciale që vlerësohet se bëjnë pjesë në sigurinë kombëtare të ushqimit, saç janë drithërat, gruri, perimet, patatet, fasulet. Vetëm për përkrahjen e subvencionimit për këtë vit, falë përkrahjes të Qeverisë i kemi rreth 50 milionë euro vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe shumë shpejtë do të bëjmë hapjen e thirrjes edhe për grantet”, tha ai./ Gazeta Enigma.