Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar të dielës se i ka vizituar në Hagë dy ish-liderët e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, raporton Gazeta “Enigma”.
Krasniqi ka thënë se duke besuar në drejtësi dhe në luftën e pastër e mbrojtëse të popullit të Kosovës, pret kthimin e tyre triumfues sa më parë.
“Të fortë dhe krenarë për rrugëtimin e tyre për lirinë e Kosovës, ashtu si përherë, i pashë dy liderët historikë të Kosovës dhe të PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, gjatë një vizite tejet emocionale që pata në Hagë. Ashtu siç besojmë në drejtësi, të gjithë besojmë se ata, bashkë me shokët e tyre çlirimtarë, po mbahen padrejtësisht atje, sepse lufta mbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e drejtë dhe e pastër, andaj edhe e presim kthimin e tyre triumfues sa më parë. Të fala të përzemërta!”, ka thënë Krasniqi.