Qerkini: Nëse dikush nga Haga shpallet i pafajshëm, kompenzimin duhet ta paguajë Kosova

Qerkini: Nëse dikush nga Haga shpallet i pafajshëm, kompenzimin duhet ta paguajë Kosova

Avokati Artan Qerkini ka folur në lidhje me gjykimin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Hagë.

Ai u shpreh se udhëheqësit e OVL të UÇK-së nuk kanë pasur qëllime kriminale me veprimet e tyre.

“Gucati dhe Haradinaj, me veprimet e tyre, kanë qenë të bindur se po i ndihmojnë anëtarësisë në mënyrë që po i publikojnë provat që janë siguruar nga Republika e Serbisë, e në të cilat gjykata dhe prokuroria do të mbështetet gjatë procedimeve penale, për të treguar se këto procedura ndaj anëtarësisë së OVL- UÇK-së nuk janë me integritet, sepse po mbështeten në prova, të cilat janë siguruar nga Republika e Serbisë dhe të gjithë ne e dimë se sa mund t’iu besojmë atyre provave. Pra, kjo ka qenë esenca e veprimit të Gucatit dhe Haradinajt”.

“Nuk ka pasur qëllime kriminale, për të minuar procedurat që janë në rrjedhë e sipër në Gjykatën Speciale, por qëllimi ka qenë që opinionit t’i bëhet e ditur se anëtarët e shoqatës së veteranëve të luftës do të akuzohen dhe do të gjykohen në bazë të provave të siguruara nga Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë”, u shpreh ai.

Ai gjithashtu tha se nëse dikush nga Haga shpallet i pafajshëm, ka të drejtë kërkese për kompensim dhe atë duhet ta paguajë Kosova.

“Është paraparë që nëse një person shpallet i pafajshëm, të ketë të drejtën të kërkojë kompensim për kohën e kaluar në paraburgim, mirëpo me ligj është parashikuar që këtë kompensim duhet ta paguajë Republika e Kosovës, edhe pse dëmin e kanë shkaktuar gjyqtarët e Gjykatës Speciale, të cilët nuk janë emëruar nga Parlamenti apo Këshilli Gjyqësor i Kosovës, megjithatë kosto do të duhej të përballohej nga buxheti i Republikës së Kosovës, kështu e parasheh ligji”.

“Mirëpo, do të jetë shumë më e rëndësishme se ndonjë kompensim eventual, shpallja të pafajshëm të Haradinajt dhe Gucatit, sepse kjo do të ishte një fitore morale edhe për vetë OVL e UÇK-së”, u shpreh Qerkini.

Këto komente ai i bëri në një lidhje direkte në emisionin “Info Magazinë” në Klan Kosova, përcjell Gazeta Enigma.

Tutje, ai tha se tani është radha e mbrojtjes, që para gjykatës të paraqesë faktet që janë në favor të Gucatit dhe Haradinajt.

“Mbrojtja mund t’i paraqesë këto argumente, e sa do të jenë ato të pranueshme për gjykatën, mbetët të shihet. Në proceset gjyqësore, është beteja mes prokurorisë dhe mbrojtjes, pra në bazë të parimit të kontradiktoritetit, duhet të dëgjohen dy palët. Deri më tani është dëgjuar vetëm prokuroria, tani i mbetët mbrojtjes që t’i rrëzojë argumentet e prokurorisë dhe t’i prezantojë faktet e veta, të cilat janë në favor të mbrojtjes së Gucatit dhe Haradinajt. Cilat argumente do të jenë më bindëse, do të vendosë gjykata”, tha ai./Gazeta Enigma/

Related Articles