Në kuadër të operacionit “Pika” ku u arrestuar disa policë, në mesin e të arrestuarit është edhe ish-gjyqtari i Superligës së Kosovës në futboll.
Bëhet fjalë për gjakovarin, Benon Këpuska, raporton Gazeta Enigma.
Këpusa brenda një ditë, derisa ishte në ndërrimin e natës, kishte marrë mbi 200 euro ryshfet. Më 17 tetor të vitit të kaluar, ai e kishte nisur ditën duke marrë 20 euro ryshfet.
Më vonë, duke lejuar kontrabandimin e kërpudhave, ai kishte marrë edhe 100 euro të tjera. Pas orës 21:00, duke lejuar kontrabandën e kërpudhave, polici dhe ish-gjyqtari B.K, kishte marrë 105 euro nga një shtetas i Shqipërisë, dhe i kishte ndarë me kolegët S.ZH dhe M.B.
Benon Këpuska së fundi ka mbajtur detyren prej sekretari tek klubi i futsallit, Liburni.
Ditën e djeshme, Inspektorati Policor i Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale zhvilluan një mega aksion, ku rezultoi me 50 zyrtarë të arrestuar, 48 policë dhe dy doganierë.
Operacioni “Pika” nisi dje në orët e hershme të mëngjesit, derisa hetimet kundër korrupsionit dhe kontrabandës në pikat kufitare, Qafë Morinë dhe Qafë Prush kanë nisur rreth një vit më parë.
/Gazeta Enigma/