Nëse pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë edhe më gjatë, pothuajse 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh, mund të bie në varfëri të skajshme, kurse mbi 60 për qind rrezikon të varfërohet brenda një viti, vlerëson Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në një projeksion të hershëm të publikuar më 16 mars.
UNDP citon vlerësimin e qeverisë ukrainase se lufta deri më tani ka shkaktuar një humbje prej të paktën 100 miliardë dollarësh të infrastrukturës kryesore si rrugët, urat dhe spitalet, dhe ka shkaktuar mbylljen e të paktën gjysmës së bizneseve të Ukrainës, ndërsa gjysma tjetër funksionon nën kapacitete.
“Lufta në Ukrainë po shkakton vuajtje të paimagjinueshme të njerëzve me humbje tragjike të jetës dhe zhvendosjen e miliona njerëzve. Ndërsa nevoja për ndihmë të menjëhershme humanitare për ukrainasit është e një rëndësie të madhe, ndikimet akute të zhvillimit të një lufte të zgjatur po bëhen tani më të dukshme”, tha Achim Steiner nga UNDP. / Gazeta Enigma.