Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është shprehur tejet i emocionuar me fitoren ndaj Gjilanit dhe kualifikimin e ekipit të tij në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Batatina ka thënë se Llapi e ka dominuar plotësisht Gjilanin, por ka shtuar se ndërrimet që i bëri në pjesën e dytë ia siguruan fitoren me rezultatin 2:0.
E në fakt, për Llapin dy golat i shënuan zëvendësimet: Drilon Fazliu (85’) dhe Alef Firmino (90’+1).
E sa i përket ndërrimeve që i bën gjatë ndeshjes, Batatina ka thënë se mund ta mposhtë çdo trajner, përfshirë edhe Jose Mourinhon.
“Mendoj se në këtë ndeshje, kemi dominuar ndaj Gjilanit në çdo aspekt, sidomos në pjesën e dytë me ndërrimet që i bëra. Kur i bëjë ndërrimet edhe Mourinhon ta shkatërroj si kuundërshtar. Me Fazliun dhe Firminon e kam ditur se do ta dominoj dhe do ta fitoj ndeshjen. Llapi është më i përgatitur se të gjitha ekipet, ka potencial dhe mendoj se kupa sërish do të vijë në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’. Është një ndjenjë e veçantë që kaluam në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe në stadiumin tonë do të ketë gjithmonë spektakël dhe ndeshje të mira”, ka thënë Batatina.