Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është dënuar me gjashtë muaj burgim të hënën, vendim ky të cilin vetë Begaj e ka quajtur të padrejtë.
Begaj akuzohet se në pozitën e kryetarit të Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm personit me inicialet R.R. dhe buxhetit të Komunës me rastin e ndërtimit të një shkolle më fshatin Drenoc.
Begaj për KSP-në ka thënë se është njoftuar për vendimin, i cili mund të zëvendësohet me pagesën prej 5.000 eurove.
“Jam i njoftuar për vendimin e Gjykatës, 5.000 euro gjobë ose gjashtë muaj burgim. Vendimi është i padrejtë për arsye sepse e kam nënshkruar një marrëveshje dhe janë marrë shtatë ari, diku 85 për qind e pronës është komunale. Nuk e kam besuar asnjëherë që do ta marrin këtë vendim, por unë e respektoj vendimin e gjykatës edhe pse është i padrejtë”, ka thënë Begaj.
Begaj ishte kryetar i Malishevës deri në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në nëntor të vitit të shkuar.