Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, patën një takim virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
Në njoftimin e Zyrë së Kryeministrit, thuhet se gjatë bisedës u diskutua për situatën në rajon dhe sigurinë e rajonit pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë.
“Republika e Kosovës, që nga fillimi, ka shprehur solidarizimin me Ukrainën dhe popullin ukrainas, gjersa pa hezitim ka dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse, duke iu bashkuar BE-së, ShBA-së dhe botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”, thuhet në njoftim.
“Çështje tjetër, për të cilën u diskutua në këtë takim virtual ishte edhe ajo e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, për të cilat kryeministri tha se për t’u mbajtur edhe në Kosovë duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.
“Ai u tha ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të Republikës së Kosovës se ne nuk dëshirojmë t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit. Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi, u shpreh kryeministri Kurti, derisa tha se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it”.
Gjithashtu, u diskutua edhe për një angazhim më të madh në fushën e diplomacisë ekonomike, duke filluar nga krijimi i kontakteve dhe urave lidhëse për të promovuar potencialin e Kosovës nëpër botë./Gazeta Enigma/