Milaim Rama për ndeshjen Zvicër – Kosovë: Stadiumi do jetë i stërmbushur, Kosova ka shumë lojtarë cilësorë dhe të ardhme të ndritshme

Milaim Rama për ndeshjen Zvicër – Kosovë: Stadiumi do jetë i stërmbushur, Kosova ka shumë lojtarë cilësorë dhe të ardhme të ndritshme

Kombëtarja e Kosovës ka aranzhuar një ndeshje kontrolluese me Kombëtaren e Zvicrës.

Tashmë koha po afron, emocionet për këtë ndeshje veçse po rriten, shkruan Gazeta Enigma.

Kjo miqësore konsiderohet mjaftë e veçantë për futbollistët shqiptarë të cilët luajnë për zviceranët, por edhe për ata të Kosovës.

Tek ekipi kombëtar i Kosovës luajnë shumë futbollistë të cilët janë lindur dhe rritur në Zvicër dhe hapat e pare në futboll i kanë marrë po nga ky shtet. Kurse, në anën tjetër tek skuadra “Helvetike” luajnë disa shqiptarë.

Ndjenjë shumë e veçantë pritet të jetë edhe për ish-lojtarët të cilët nuk do jenë pjesë e fushës së gjelbër.

Milaim Rama është njëri nga ta. Ish-futbollisti i njohur nga Kosova është futbollisti i parë që ka mbrojtur ngjyrat e Kombëtares së Zvicrës.

Gazeta Enigma e ka kontaktuar ish-futbollistin i cili ka folur për ndeshjen miqësore duke treguar për emocionet.

Te Zvicra janë ftuar tre futbollistë shqiptarë, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Andi Zeqiri.

“Sigurisht, do të jetë një lojë e pazakontë dhe shumë speciale pasi në këtë rast do të luash kundër vendit tënd, ku rrënjët e prindërve janë nga Kosova. Lojtarët shqiptarë të cilët e përfaqësojnë Zvicrën do të kenë emocione të papërshkrueshme. Edhe unë kam përjetuar kësi emocione në vitin 2003 ku në Gjenevë luajta kundër Kombëtares shqiptare”, deklaroi Milaim Rama.

Sipas Ramës, lojtarët e të dyja ekipeve duhet ta shijojnë maksimalisht këtë ndeshje dhe se rezultati duhet të mbetet në plan të dytë.

“Unë mendoj që kjo lojë duhet të jetë më e veçantë se të tjerat. Arsyeja është se Zvicra ka dhënë lojtarë të shumtë për Kosovën dhe ndërkohë kemi shqiptarë që luajnë në Kombëtaren zvicerane. Rezultati duhet të mbetet në plan të dytë”, vazhdoi më tutje Rama për Gazetën Enigma.

Ish-futbollisti ka treguar edhe për interesimin e jashtëzakonshëm të mërgimtarëve për ta parë këtë ndeshje nga afër.

“Interesimi është i jashtëzakonisht shumë i madh tek shqiptarët këtu në Zvicër, por jo vetëm këtu, por edhe tek shtetet tjera që janë afër si nga Gjermania, Franca, Austria, Italia, pra ka interesim shumë të madh që kjo ndeshje të përcillet nga afër. Sipas informacioneve që kemi marrë, biletat janë të shitura të gjitha dhe stadiumi pritet të jetë i stërmbushur”, shtoi më tutje ish-futbollisti.

Milaim Rama gjithashtu është edhe futbollisti i parë shqiptar që ka marrë pjesë në Kampionatin Evropian, ku me përfaqësuesen zvicerane ishte paraqitur në “Euro 2004” në Portugali.

Së fundmi, “Dardanët” janë bërë edhe me selektor të ri, pasi që javë më parë është zyrtarizuar trajneri francez, Alain Giresse.

Të ardhmen e kombëtares së Kosovës e ka komentuar edhe ish-përfaqësuesi zviceran.

“Unë mendoj që Kombëtarja e Kosovës e ka një të ardhme të ndritshme, kemi jashtëzakonisht shumë lojtarë cilësorë dhe të talentuar nëpër botë. Sigurisht një kombëtare e re nuk duhet të mendoj shumë për rezultatet. Tashmë ka ardhur koha që edhe Kosova të mendoj për kualifikimin tutje në ndonjë kompeticion evropian”, shprehet Rama.

Milaim Rama shkaku i rrethanave të kohës nuk kishte mundur që të djersite fanellën e Kosovës. Kurse, vajza e tij, Alketa Rama, e cila është lindur dhe rritur në Zvicër ka pranuar që të luajë për Kosovën.

Pra, ky është një shembull që duhet ta ndjekin edhe futbollistët e lindur dhe rritur jashtë, të cilët po hezitojnë t’i bashkohen Kosovës.

Për fund, futbollisti ka treguar edhe prognozën e tij për këtë ndeshje miqësore.

“Shpresoj që të luhet një ndeshje shumë interesante dhe të kënaqen të gjithë tifozët në tribuna. Do të preferoja që ndeshja të përfundoj me barazim, 2-2”, përfundoi Milaim Rama.

Kujtojmë që Kombëtarja e Kosovës nesër në mbrëmje do të luaj kundër Burkina Fasos.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles