Më 24 shkurt trupat ruse shkelen tokën ukrainase, gjë e cila çoi në luftime të ashpra atje.
Një muaj pas, Ukraina pretendon se ka vrarë afro 15 mijë ushtarë rusë në katër javë luftime, pas një rezistence më të fortë se sa pritej, duke ia pamundësuar kështu Moskës një pushtim të rrufeshëm, ashtu siç e kishte paramenduar.
Deri më tani, si shkak i luftimeve, Ukrainën raportohet se e kanë lëshuar mbi 3.5 milionë refugjatë , ku pjesa më e madhe e tyre kanë ikur për në Poloni.
Gjatë luftimeve, forcat ruse përveç popullatës civile nuk kanë kursyer as gazetarët, madje as ata rus. Dje u vra gazetarja ruse Oksana Baulina, e cila po filmonte shkatërrimin e vendit, pasi trupat ruse bombarduan rrethin Podols të Kievit. Ajo u vra bashkë me një civili dhe dy të tjerë u plagosën. Baulina është gazetarja e pestë e vrarë deri më tani në luftimet në Ukrainë.
Rusët, më 4 mars bombarduan centralin më të madh bërthamor në Evropë, atë të Zaporizhzhia, por Agjencia e OKB-së për energjinë atomike kishte bërë të ditur se strukturat kryesore nuk u preken nga shpërthimet.
Gjatë luftimeve pati edhe bisedime mes palëve, ku deri më tani janë mbajtur tri runde për të arritur një armëpushim të plotë, por bisedat nuk patën sukses për këtë, ndërsa e gjithë ajo çfarë u arrit ishte krijimi i korridoreve humanitare për evakuimin e popullatës civile.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë vazhdimisht thirrje drejt Perëndimit për t’i dalë në ndihmë Ukrainës dhe për ta mbyllur qiellin e saj për avionët rusë, gjë e cila deri më tani ende nuk është marrë parasysh.
Ndërkohë, sot takohen liderët botërorë të G7, ku në këtë samit do të marr pjesë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, me temë diskutimi situata në Ukrainë.