Gerard Pique besohet se po konsideron një rikthim befasues në ekipin kombëtar të Spanjës për Kupën e Botës “Katar 2022”, disa vjet pas pensionimit të tij.
Në gusht të 2018, pas një zhgënjimi në Kupën e Botës në Rusi, qendërmbrojtësi i Barcelonës konfirmoi se po largohej nga detyra ndërkombëtare për t’u përqendruar te klubi nga Camp Nou.
“Kam kaluar një kohë vërtet të mirë, me një kampionat evropian dhe një botëror, por kjo histori është në fund. Këtë ia kam thënë Luis Enriques”, kishte deklaruar Pique para gazetarëve përpara ndeshjes së Superkupës së Barcelonës me Sevillan.
Edhe para Kupës së Botës 2018, ish-mbrojtësi i Manchester United , Pique tha se do të kishte kuptim të largohej nga La Roja pas turneut në Rusi.
“Ka qenë një kohë e mrekullueshme dhe kam përjetuar gjëra të mahnitshme. Por, ndonjëherë ju duhet t’i jepni fund cikleve dhe duhet ta bëni atë në mënyrën e duhur”.
Por me vetëm shtatë muaj deri në fillimin e Kupës së Botës në Katar, një skenar “i papritur” po luhet që përfshin Piquen dhe një rikthim të mundshëm në ekipin kombëtar.
Sipas gazetës El Mundo, Pique nuk ka vendosur ‘plotësisht’ nëse do të rikthehet në kombëtare, por nëse asgjë nuk ndryshon, ai do të vihet në dispozicion për t’u përzgjedhur.
Raporti vazhdon të thotë se është ‘e panjohur’ se çfarë do të bëjë trajneri aktual i Spanjës, Luis Enrique nëse përballet me mundësinë e thirrjes së Piques – një lojtar që ai e respekton.
Edhe vet Pique ka folur së fundmi me elozhe për kombëtaren e Spanjës, edhe pse ndihet katalunas.
“Mendoj se është e pajtueshme të jesh i pavarur dhe të luash me Spanjën. Ka lojtarë që kanë shtetësi nga vende të tjera që luajnë për Spanjën dhe nuk ndihen spanjollë”, ka deklaruar Pique.
“Çfarë është të ndjesh ngjyrat? Unë nuk do t’ju them nëse jam apo jo. Votimi është i fshehtë dhe secili duhet të ruajë privatësinë e tij dhe nuk mund të penalizoheni në karrierën tuaj profesionale për këtë”.
“Ka pasur shumë raste që njerëzit nuk e kanë ndjerë. Çfarë do të thotë të ndjehesh nga një vend? A ka garë? Nëse jeni më spanjoll, a mund të shkoni? E kam parë gjithmonë si pjesë të punës sime”.
“Çfarë preferojnë tifozët? Një lojtar që luan mirë dhe nuk i intereson vendi apo ai që e do më shumë vendin e tij dhe më pas ka një performancë të ulët?”.
“Kur fituam Kupën e Botës, ata filluan të shihnin se sa shumë e donim vendin?”, përfundoi mbrojtësi.