Zvicra do të përballet përsëri me Serbinë në fazën e grupeve në Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Këto dy kombëtare ishin përballur më 22 qershor të vitit 2018 në kuadër të Botërorit “2018”, ku kishte fituar Zvicra me rezultat 2-1 me golat e Xhakës dhe Shaqirit, të cilët kishin festuar duke e bërë simbolin e shqiponjës.
Andreas Boeni, zëvendës-redaktor i sportit në gazetën zvicerane Blick ka shkruar se ndeshja me Serbinë do të jetë sfidë si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Boeni thotë se ky takim do të jetë vendimtar.
“Ajo që ndodhi ishte ajo që askush nuk ka shpresuar: Zvicra takohet me Serbinë sërish. Dhe takohet në ndeshjen e tretë në grup që pritet të jetë vendimtare. Pas përvojës në Botërorin 2018, me provokimet e lojtarëve tanë, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri dhe festën me shqiponjën dykrenare, do të jetë sfidë. Jo vetëm në fushë por edhe jashtë saj. Lojtarët duhet të jenë mentalisht të përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe të mos lejojnë të provokohen. Është mirë që me Murat Yakinin kemi trajnerin që do të ndërgjegjësojë dhe do t’i adresojë gjërat”, ka shkruar Andreas Boeni./GAZETA ENIGMA/