Donika Gërvalla shkarkon kreun e Konsullatës së Kosovës në New York

Donika Gërvalla shkarkon kreun e Konsullatës së Kosovës në New York

Donika Gërvalla, Ministre e Punëve të Jashtme ka shkarkuar kreun e Konsullatës së Përgjithshme në New York, Frymëzim Isufaj.

Këtë e ka bërë të ditur vet Frymëzim Isufaj përmes një shkrimi në Facebook, shkruan Gazeta  Enigma.

Isufaj ka shkruar se ky vendim për shkarkimin e tij është jo ligjor dhe tërësisht politik.

“Dëshiroj t’ju njoftoj se rrugëtimi im në krye të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës ne Nju Jork u ndërpre javën e kaluar nga një vendim arbitrar, jo ligjor dhe tërësisht politik, ku në kundërshtim me çdo praktikë të deritashme më është kërkuar që brenda 10 ditësh të largohem nga misioni. Përveç ndërprerjes së parakohshme dhe të pa arsyetuar të mandatit tim të rregullt, përmes vendimeve të paligjshme, dëshirojnë që të pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere në institucionin në të cilin kam shërbyer afërsisht në 10 vitet e fundit”, ka shkruar Isufaj.

Tutje ai ka shkruar se për hir të mbrojtjes së kredibilitet të institucionit, si diplomat karriere i cili i ka shërbyer një kohë të gjatë për institucionet e shtetit tonë, do ta respektoj këtë vendim pa komentuar motivin e nxjerrjes së tij.

“Megjithatë, betejën ligjore për të dëshmuar paligjshmërinë e këtij vendimi, do ta vazhdoj tek institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, të cilat besoj se do të jenë të pavarura në trajtimin e lëndës duke vendosur drejtësi në këtë çështje. Ti shërbej vendit tim gjatë kësaj periudhe pothuajse 15 vjeçare në institucione të ndryshme, e sidomos si diplomat në një vend të rëndësishëm si SHBA (vendit ndaj të cilit duhet të jemi përherë mirënjohës), fillimisht në Uashington e pastaj në New York, ka qenë nderi im më i madh jetësor”, ka shkruar Jusufaj.

Në fund ai ka falënderuar të gjithë miqtë dhe kolegët nga Departamenti i Shtetit, Senati dhe Kongresi, si dhe agjenci të tjera amerikane./GAZETA ENIGMA/

Related Articles