Ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ka thënë se AKI-ja e kishte parandaluar një atentat ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, më 2014 në ndeshjen e parë të kombëtares së Kosovës në futboll kundër Haitit.
“Ju kujtohet në vitin 2009 ndalimi i agjentëve të BIA-s. Më 2014 kur është bërë ndeshja e parë e Kosovës kemi parandaluar një sulm që ishte nisur nga shërbimi sekret serb ndaj titullarëve tonë që të prishej ajo atmosferë festive”, tha Smakaj në T7.
Sipas tij, cak ishte ish-kryeministri Thaçi, duke shtuar se “ishte punësuar një snajperist nga forcat elitare serbe me përvojë në Bosnje Hercegovinë dhe Kroaci, i cili pastaj në bashkëpunim me shërbimet partnere, nuk e kishte mohuar shërbimi serb që ishte planifikuar diçka e tillë”.
Smakaj këto komente i bëri në emisionin Pressing ku po diskutohej për kërcënimin me vrasje për Dick Marty-in, njeriun që akuzoi udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se kishin bërë trafikim me organe njerëzish.
Shërbimet e inteligjencës serbe kishin paguar vrasës me pagesë për ta likuiduar ish-prokurorin zviceran, i cili shërbeu edhe si anëtar i Këshillit të Evropës.
Dick Marty
Në emisionin “Mise au Point”, në Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”, Marty thotë se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.
Ndërsa Agjencia famëkeqe serbe e Inteligjencës së Sigurisë, e njohur shkurt si BIA, i ka reaguar politikanit zviceran, Dick Marty.
BIA tash i ka dërguar një letër Shërbimit Informativ Federal të Zvicrës, në të cilën dënon dhe mohon ashpër, siç thuhet në një deklaratë të dërguar për Tanjug, “pretendimet dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së dikujt”.
“BIA reagon ndaj gjoja kërcënimeve me vdekje ndaj ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, i cili hetonte krimet e UÇK-së dhe trafikimin e organeve njerëzore, Dick Marty”, thuhet në reagim.
“Në këto kohë të vështira, pretendime të tilla i shkaktojnë padrejtësisht dëme të pallogaritshme Serbisë dhe reputacionit të BIA-s dhe anëtarëve të saj, të cilët janë të përkushtuar dhe profesionistë në kryerjen e detyrave të tyre të punës ekskluzivisht në përputhje me ligjin”, vazhdon argumentimi./Gazeta Enigma/