Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti në një koferencë për media ka folur për sulmin ndaj policëve në veri.
Mehmeti ka thënë se këto sulme dyshohen të kenë ardhur nga Serbia në drejtim të policëve të Kosovës.
“Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë, saktësisht në vendin që quhet Pragovë, rreth orës 20:40 minuta, janë dëgjuar katër deri në pesë të shtëna me rafal të shkurta, diku rreth 30 fishekë që dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë”.
“S’ka pasë të lënduar, por vetëm dëme materiale. Gjuajtjet kanë ndodhur në distancë 200-300 metra afër patrullës, në fshatin Bube, ku para disa kohe e kemi bërë mbylljen e kësaj rruge ilegale”.
Ndër të tjera, Mehmeti tha se sulmi është i organizuar dhe ka për qëllim që të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë.
“Prej datës 13 deri më sot kanë qenë katër sulme të organizuara dhe të sinkronizuara ndaj Policisë së Kosovës në një territor që është i ndërlidhur apo vendet ku janë bërë sulmet janë shumë afër njëra-tjetrës dhe “natyrisht kjo na jep të kuptojmë se sulmi është i organizuar dhe ka për qëllim që të sulmojë dhe të pengojë punën e policisë, të pengojë aksionet policore që kanë të bëjnë me luftën kundër kontrabandës dhe tregtive ilegale”.
Ndryshe, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se sulmi ka ndodhur me granatë dore Ak-47 dhe se qëllimi i këtij sulmi ishte të frikësojë zyrtarët policor dhe qytetarët.