Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot sërish për sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Kurti ka thënë se këto sulme ishin terroriste dhe se për qëllim kishin vrasje.
“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale
U takon organeve të rendit edhe për të bërë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çfarë duhet të ndërmarrim në vijim që të pamundësojmë sulme të këtilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim të vrasin”, ka thënë Kurti.
Kryeministri shtoi se është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës ajo që i bënë analizat dhe studimet e shkaqeve dhe rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë.
“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës nga MPB dhe Policia e Kosovës”, tha Kurti.