Sulmet ndaj Policisë në veri të Kosovës shihen me shqetësim të madh si presion ndaj shqiptarëve që jetojnë atje
Java e kaluar u përcjelle me tensione të larta në veri të Kosovës, pasi Policia e Kosovës u sulmua pesë herë. Sulmet ndaj policisë janë bërë duke përdorur granata dore, AK 47 dhe vendosjen e iriqëve matalikë në rrugë.
Sulmi i fundit kishte ndodhur të shtunën në orët e hershme të mëngjesit në Sharpej të Jarinjës, ku dyshohet se ishin hedhur mjete piroteknike.
Shpërthimet kishin ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur sulme terroriste i cili ka thënë se e kanë dënuar ashpër këtë sulm.
“Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se i takon organeve të rendit për t’a zbardhur rastin dhe për ta vlerësuar sitautën e sigurisë.
“U takon organeve të rendit edhe për të bërë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin, por edhe për të vlerësuar situatën e sigurisë se çfarë duhet të ndërmarrim në vijim që të pamundësojmë sulme të këtilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim të vrasin”, ka thënë Kurti, shkruan Gazeta Enigma.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza në një përgjigje për Gazetën Enigma është shprehur i shqetësuar pas shpërthimit të fundit me mjete prioteknike duke potencuar se ngjallë frikë për banorët shqiptar që jetojnë në veri të Kosovës.
“Janë shqetësuese për banorët e asaj ane, normalisht që ata shqetësohen për sigurinë, familjet dhe për pronat e tyre. Deri më tash informatat që i kemi nuk ka pasoja, lëndime në njerëz, por që si pas të gjitha gjasave bëhet fjalë për mjete pirotentike të cilat kishin krisma të fuqishme”, ka thënë Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Bedri Hamza për Gazetën Enigma.
Edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi e sheh shqetësuese këtë situatë për banorët shqiptar në veri. Ai e potencon se këto shpërthime shkaktojnë presion për shpërnguljen e pak shqiptarëve që janë mbetur në Veri të Mitrovicës.
“Tasht e kemi edhe Lagjen e Boshnjakëve aty mjafton shpërthime të mjeteve piroteknike ku shkakton presion për shpërnguljen e pak shqiptarëve të mbetur që janë në Veri të Mitrovicës në Lagjen e Boshnjakëve. Pra, kejt këto tregojnë që janë vazhdimësi e dirigjimit të këtyre strukturave kriminale nga Qeveria e Serbisë.”, thotë Nuredin Ibishi për Gazetën Enigma.
Ibishi thotë se situata nuk e njëjtë dhe ka elemte të terrorizmit nga sulmet e fundit në veri të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës. Ai i cilëson këto sulme si rrezik për sigurinë e përgjithshme.
“Situata është jo e njëjtë, pasi ata tentojnë me çdo kusht të provokojnë situatën duke ngritur tensione. Kur mbyllen rrugët e trafikimeve ilegale të mallrave të ndryshme ata fillojnë me veprime ndaj prezencës së policisë duke tentuar t’ia mbyllin rrugët kur policia vendos postblloqe dhe nis mbikëqyrjen, serbët dëshirojnë me çdo kusht t’i organizojnë këto forma apo veprime kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për këtë arsye kjo nuk ka ndonjë tendencë të lartë edhe pse ka elemente edhe prokurori ka thënë që ka elemente të terrorizimit, sepse nuk preken vetëm strukturat e sigurisë, por edhe preken direkt edhe qytetarët e Kosovës, pasi hedhen mjetet eksplozive ku ka qarkullim publik dhe është rrezik për sigurinë e përgjithshme”, vlerëson Ibishi.
Njohësi i sigurisë thotë se Kosova ka marrë veprime paraprake duke ia mbyllur rrugët strukturave serbeve që ia pamundëson funksionimin e tyre për importimin e mallrave në mënyrë ilegale.
“Kosova realisht ka ndërmarrë veprime paraprake duke i mbyllur rrugët e trafikimeve, duke e vendosur bazën logjistike. Kosova duhet me e shtu prezencën e njësisë speciale të EULEX-it, gjithsesi edhe shtimin e prezencës së KFOR-it, janë elemente të duhura për t’iu kundërvy në mënyrë të duhur duke e shtu edhe numrin e policisë kufitare që të pengohet kjo rrjedhje dhe krimin e organizuar nga Serbia”, thotë Nuredin Ibishi.
“Avazi i Serbisë vazhdon në kuptim të injorimit dhe pengimit të mosobjektivitetit të Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare por edhe në raport direkt bilateral me Kosovën kur ka të bëj me bisedime. Serbia për çdo marrëveshje mund të tregoj superioritet dhe realisht po ia del në lobin në arenën ndërkombëtare sidomos në Bashkimin Europian, pasi është më proaktive në krahasim me ne”, vlerëson njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ndaj këtyre sulmeve kanë reaguar krerët e shtetit, liderë të partive politike në Kosovë, Ambasada amerikane, Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja. /GAZETA ENIGMA/