Gjashtë zëvendësime në një ndeshje futbolli? Po, saktë. Një gjë e tillë nuk paraqitet kudo, por besohet se ka ndodhur në një ndeshje të futbollit kosovar.
Gjegjësisht, një lëshim i tillë, FrontOnline mëson se ka ndodhur në ndeshjen e Ligës së Parë të grupit B mes Ferizajt dhe Vitisë, ku protagonist ishin vendasit.
Ndeshja në fjalë u zhvillua më 19 mars të këtij viti, në kuadër të javës së 19-të, dhe u fitua nga ferizajasit me rezultat të ngushtë, 2:1.
Por, një gjë e tillë duket se iu ka ikur zyrtarëve përgjegjës të klubit mysafir, por edhe të kundërshtarit për titull në këtë kategori, Vushtrrisë.
Në lidhje me këtë çështje, FrontOnline ka kontaktuar me zyrtarin e Vushtrrisë, Naim Ferizi, i cili ka thënë se për këtë gjë klubi që ai përfaqëson nuk është ankuar.
Kurse, nga klubi i Ferizajt për portalin thanë se nuk janë të “vetëdijshëm” për këtë lëshim.
“Nuk kemi bërë ankesë, kemi dëgjuar me vonesë”
Zyrtari i klubit të Vushtrrisë, Naim Ferizi ka thënë se ka pasur zëra për këtë, por që kanë dëgjuar me vonesë.
“Kemi dëgjuar fjalë. Zyrtarisht, nuk kemi bërë ankesë pasi kemi dëgjuar me vonesë. Një muaj është afati, por kemi dëgjuar me vonesë dhe nuk kemi marrë ndonjë veprim tutje”, ka deklaruar Naim Ferizi.
Nga Ferizaj nuk kanë koment
Drejtori i klubit të Ferizajt, Agron Selmani ka thënë se nuk ka informacion në lidhje me këtë çështje.
Ai tregon se nuk e ka marrë ndonjë vërejtje të kësaj natyre.
“Nuk jam në dijeni për këtë punë dhe nuk e kam ndonjë koment. Pjesën administrative e përcjellin zyrtarët e klubeve dhe nuk e di se kam pasur ndonjë vërejtje të kësaj natyre”, tha të martën Agron Selmani.