Pas vizitës që zhvilluan në Serbi, senatorët Chris Murphy e Tom Thillis si dhe senatorja Jeanne Shaheen do të vizitojnë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Murphy tregoi se vizitat kanë të bëjnë me forcimin e marrëdhënieve në rajone të brishta dhe forcimin e marrëdhënieve të këtyre vendeve me SHBA-në.
“Ndërsa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ata do të përpiqen të krijojnë probleme në rajonet e afërta më të brishta”, shkruan Murphy.
“Unë jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje këtë javë me Senatoren Jeanne Shaheen dhe Senatorin Thom Tillis për të forcuar lidhjet e SHBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve të huaja për të minuar paqen”, shtoi ai.
Murphy, në takimin e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd tha se shteti i tij e kupton lidhjen që ka Serbia me Rusinë, por se kur tani kur duhet renduar qëndrimin me shtetet demokratike, Serbia duhet ta ndërrojë qasjen.
“Uashingtoni i kupton marrëdhëniet historike midis Serbisë dhe Rusisë, por shpreson se Serbia, së bashku me vendet e tjera demokratike, do të marrin pjesë në partneritet për të ndaluar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia”, tha Murphy.
Siç raporton Tanjug, se ai para gazetarëve tha se është e rëndësishme që të gjitha vendet demokratike në Europë t’i dërgojnë një mesazh të qartë Rusisë se lufta duhet të ndalet dhe të mbahet përgjegjëse.
Vuçiq pas takimit tha se përmirësimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë.
Ndryshe, Murphy kishte vizituar Kosovën dhe Serbinë edhe më 2019, në një vizitë së bashku me senatorin Ron Johnson. Por, asokohe vizita kishte nisur nga Kosova.