Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot ka reaguar lidhur me raportimet për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një skandal të madh financiar në Slloveni.
Abdixhiku përmes një postimi në profilin e tij ka shkruar se pikërisht kjo ka të bëjë me rezistencën e pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend për energjinë.
Postimi i tij i plotë:
Shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend.
Asnjë arsyetim refuzues i tyre nuk kishte kuptim. As arsyetimi i luftës në Ukrainë, prandaj – merreni me mend – s’duhej të bëhej ky hetim; as preteksti i ligjshmërisë së nënshkrimeve nuk kishin kuptim. Vetëm një hall i madh prodhonte arsyetime të pashpresa si këto. Por sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhej insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim tē gjithë.
Bojkoti ynë votues në Kuvend, nuk merr fund pa formimin e Komisionit Hetimor për Energji. Sepse s’ka ligj, s’ka temë e s’ka çështje tjetër më me rëndësi se sa kjo me energji. Do ta zbardhim të vërtetën herët apo vonë. Deri atëherë, tërheqja e menjëhershme e ambasadorit të komprometuar tani, formimi i Komisionit Hetimor, e shkarkimi i Bordit të Rregullatorit – që ende refuzon vendimin e Gjykatës rreth tarifave – janë hapa të parë në këtë drejtim.