Gratë nga Krusha e Madhe kanë kërkuar më shumë mbështetje për fermerët por edhe rregullimin e statusit të familjeve të të pagjeturve.
Ato thonë se fëmijët e tyre po ikin nga Kosova, pasi nuk kanë mbështetjen e duhur nga institucionet, derisa shtuan se 170 euro që marrin nuk janë të mjaftueshme.
Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për të Pagjeturit, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, së bashku me bordin e grupit të grave deputete, në Krushë të Madhe vizituan kooperativën bujqësore që udhëhiqet nga Fahrije Hoti. Kjo e fundit tha se një pjesë e familjeve të të pagjeturve janë të zhgënjyer me trajtimin që iu bëhet nga institucionet tona.
“Ne për pjesën tonë kemi bërë boll, presim nga pozita juaj si deputete të shohim se çka po bëni për këtë gra të cilat një pjesë e tyre janë të zhgënjyera që fati i personave të pagjetur është aty ku është, as nuk e kemi një ligj të veçantë për personat e pagjetur por edhe këto si kategori viktima civile të luftës, ka ngecur aty ku janë dhe nuk ka pas rritje qe sa vjet kemi mbet me atë pagë, shpresojmë se do të bëhet ndonjë ndryshim, të merren edhe këto parasysh, sidomos familjarët e personave të pagjetur, kategori që vende të punës nuk ka, janë të obliguar gjeneratat e reja ta lëshojnë vendin me shkuar jashtë Kosovës. Kërkojmë prej juve që kjo kategori e grave le të merret parasysh, të bëhet edhe një status i veçantë për personat e pagjetur ose le të rriten edhe pagat që kanë ngecur aty ku janë me 170 euro qe disa vite”, tha ajo.
Ajo shtoi se burri i saj ekziston në listën e personave të pagjetur dhe fëmijët e Krushës nuk janë trajtuar ashtu siç duhet.
“Na është obliguar në atë kohë ta regjistrojmë si i vdekur për arsye që ta përfitojmë benificionin që e jepte në atë kohë shteti, ndoshta me letra ata janë të vrarë, por në jetën e përditshme ata janë të zhdukur… Por, të paktën me benificionet me pas edhe fëmijët e tonë të drejtë dhe me pas një status të veçantë për personat e pagjetur dhe fëmijët e tonë me pas pak privilegje. Pse viktimë civile, nuk ka pasur armatim me u mbrojt, pse me ia dhënë këtë status dhe ashtu siç i kanë dhënë viktima civile, ashtu edhe i kanë trajtuar familjet rregullisht, nuk po flas vetëm për Krushën por për gjithë Kosovën”, tha ajo, duke shtuar se kishin fatin që të punojnë dhe të kenë përkrahje sepse në të kundërtën më 170 euro kurrë nuk do të mund ta shkollonte fëmijën.
E sa i përket punës që e bëjnë, kooperativës bujqësore, tha se u mungon teknologjia, derisa shtoi se kanë problem edhe me lëndën e parë.
“Unë kisha thënë që me bërë thirrje për t’i mbështet më shumë fermerët me investuar për lëndën e parë, pse me importuar, pse me dërguar unë mjetet atje e jo këtu, ose te serat ose me gjet ndonjë mënyrë që me pas prodhim më herët ose me pas prodhim 12 muaj, tri mbjellje me qenë në atë kohë…por unë e shoh problemin kryesor te fermerët, atyre me iu plotësuar kushte, të drejta, privilegje ose ndihma më shumë sepse tash kemi edhe rritje të çmimeve dhe ka mundësi që në këtë vit nuk mbjellin hiq sepse ka shkuar një thes i plehut 22 euro e vitin e kaluar ka qenë 8 euro, domethënë ndoshta nuk mbjellin hiq, atëherë na rrezikohet veprimtaria këtu por shpresojmë që ka rënie të çmimit, vaji pastaj e përdorim për ajvar, 3.50 euro vaj, sa me shit ajvarin ne”, tha ai.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti tha se janë gati të bashkëpunojnë në lidhje me kooperativën, ndërkohë që shtoi se ligji për të pagjeturit është në agjendën legjislative.
“Është kënaqësi me ardh me një vend si ky, me zonja të nderuara si ju, me nda historinë e suksesit dhe me iu dëgju, të shohim përparimin që e dimë si ka fillu po gjithashtu me i dëgju sfidat aktuale. Ne e dimë që fillimi ka qenë i vështirë por jemi po ashtu të vetëdijshme që edhe sfidat aktuale të kooperativës dhe të tjera mund të jenë prezente, prandaj jemi këtu që me iu dëgju dhe të shohim për zgjidhje bashkë. Edhe për Ligjin e të pagjeturve, ne kemi ne agjendën legjislative por edhe këto të tjerat që ju i përmendët, mendoj që gjithsesi janë shqetësim dhe diskutim pjesë e punës tonë, është obligim i yni që me u marrë më to, qoftë edhe me pagën që po ashtu, që e përmendët është në procedurë, besoj që e keni parë”, tha ajo.
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Valentina Bunjaku, çmoi punën e grave të Krushës, duke i quajtur heroina.
Ajo i ftoi gratë e Krushës për vizitë në Kuvend, si dhe u kërkoi që t’i paraqesin kërkesat e tyre me shkrim në mënyrë që pastaj si grup i grave deputete të mund të japin kontributin e tyre për t’i ndihmuar.
“Sa i përket projektligjeve sesa mundemi thjesht me e zhvillu më mirë këtë veprimtari tuajën, mundeni të bëni kërkesë tek grupi i grave të deputeteve ku besoj që gruaja gruan është patjetër e obligueshme që me e përkrahë. Thjesht në emër të partisë time po flas këtu, vota e partisë time nuk ka me mungu për me iu përkrah. A kemi bë mjaftueshëm deri sot, është e pamjaftueshme dhe nuk ka asnjë arsyetim sepse është turp para juve të arsyetohet një mospunë e kësaj qeverie apo të atyre të kaluara pa dallim, kur është në pyetje për ju si nëna, si gra që keni humbë më të dashurit e tuaj dhe ka raste edhe sot nuk e dini ku janë, atëherë ne duhet të përkulemi para juve dhe duhet ta pranojmë që nuk kemi bërë mjaftueshëm për juve”, tha ajo, raporton KP.
Fahrije Hoti ka nis punën në 2005 me një grup të grave dhe tash janë mbi 50 gra në kooperativë dhe mbi 100 fermerë me të cilët kanë marrëveshje për t’ia marrë produktet të cilat i shesin për tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Ndërkohë, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për të Pagjeturit, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, së bashku me bordin e Grupit të Grave Deputete, do të vazhdojnë vizitën në strehimore në Gjakovë, si dhe do të bëjnë homazhe në varrezat në Mejë, për nder të përvjetorit të 23-të dhe kujtimit të të rënëve në masakrën e Mejës. / Gazeta Enigma.