Për çështje sigurie ss vendi e as koha e takimit e Zelenkyt me Blinken dhe Austin nuk u bën të ditura.
Kështu, administrata amerikane u sigurua që të mos zbulojë asnjë detaj që do t’i lokalizonte sekretarët e Shtetit dhe të Mbrojtjes, Anthony Blinken dhe Lloys Austin gjatë kohës sa qëndruan në Ukrainë si mysafirë të presidentit, Volodymyt Zelensky, të dielën.
E ky delegacion është i pari nga ato ndërkombëtare që iu nënshtrohet këtyre masave në vendin e goditur nga Rusia.
Për dy muaj luftime, Zelensky priti mysafirë edhe shumë liderë të rëndësishëm, por me ta lëvizi nëpër qendër të Kievit. Madje presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësuesi I Lartë, Joseph Borrell, e vizituan edhe qytetin e Buçës ku u krye masakra e madhe ndaj civlëve.
Nëpër qytetet lëvizën edhe kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez e kancelari austriak, Karl Nehammer
Kjo derisa edhe të tjerë, shkuan direkt në zyrën e Zelenskyt dhe nga aty mbajtën edhe konferenca për medie.
Por, njohësit e çështjeve të sigurisë të kontaktuar nga Klankosova.tv i kanë disa shpjegime pse amerikanët iu nënshtruan këtyre masave.
Kjo sipas, Mentor Vrajollit, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, mund të ndërlidhet kryesisht me faktin se fuqinë globale të SHBA-së.
“Impakti i vizitës së SHBA-ve në Ukrainë ka domethënie më të madhe se sa vizitat e tjera. Përveç kësaj, masat e sigurisë që shteti amerikan parasheh për zyrtaret e saj janë të një niveli më të lartë se sa ato që aplikojnë vendet e tjera”, thotë ai.
Ai, vlerëson se tashmë krimet ruse në Ukrainë janë botërisht të vërtetuara, dhe qëllimi i kësaj vizite nuk ishte t’i vërtetojë drejtpërsëdrejti tmerret që kanë ndodhur atje, por ishte diçka tjetër.
“Qëllimi i vizitës së këtij delegacioni të lartë ka qenë pothuajse ekskluzivisht për ta siguruar Ukrainën se nuk është e vetme në përpjekjet e tyre heroike për ta mbrojtur sovranitetin dhe ekzistencën e shtetit te tyre. Pra, kjo vizitë është edhe një dëshmi se shteti Amerikan do të jetë në krah të Ukrainas, qoftë me ndihmesa në armatim, qoftë me ndihmesa të tjera, deri në momentin kur ofenziva ruse në këtë vend të dështojë tërësisht”, thotë Vrajolli.
Edhe njohësi tjetër i fushës së sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se ky delegacion ka tjera rregulla të vizitave në vatrat e luftës.
“Mosdalja mund të ketë edhe karakter të sigurisë, pasi amerikanët kanë protokolle të specifikuara kur një zyrtar i një niveli mund të vizitojë një zonë lufte dhe mënyrën se si do ta vizitojë atë”, thotë Kajtazi.
Ky poashtu e vlerëson rolin e madh që ka SHBA në përkrahjen ndërkombëtare për Ukrainën.
“Kjo rezistencë e Ukrainës do të ishte e pamundur pa një mbështetje të gjithanshme të vendeve të NATO-s, veçanërisht të SHBA. Vizita ka karakter të një mbështetje morale, të një kontakti fizik, përndryshe, amerikanët kanë informacion të mjaftueshëm për të kuptuar se çfarë po ndodhë realisht”, thotë ai. “E gjithë infrastruktura amerikane e vëzhgimit satelitor është në dispozicion të Ukrainës, nga kjo amerikanët kanë njohuri të mjaftueshëm pa dal në terren”./Gazeta Enigma/