Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Dritan Abazoviçin pasi ky fundit u zgjodh kryeministër i Malit të Zi.
“Jam e sigurt që nën udhëheqjen tuaj, Mali i Zi do të qëndrojë fuqishëm në rrugën drejt BE-së. Së bashku do të forcojmë partneritetin tonë dhe do të punojmë së bashku për një Ballkan Perëndimor paqësor, të begatë dhe të sigurt”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Ndryshe, në seancën e Kuvendit të Malit të Zi në Cetinje, sot u votua Qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq, me çka përfundoi mandati teknik tremujor i Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, të cilit iu votua mosbesimi më 4 shkurt.
Shumica e re parlamentare, e cila votoi për Qeverinë, më herët zgjodhio Danijela Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.
Për zgjedhjen e Qeverisë votuan 45 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Parlamentin malazias, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.
Për kabinetin e Abazoviqit votuan deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.
Qëllimi i Qeverisë së re është të zhbllokojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi dhe zgjedhjen e pozitave udhëheqëse në Gjyqësor, theksoi kryeministri Abazoviq.