Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën që ka mbajtur në Kuvendin Kombëtar të PD ka thënë se hapja mbetet “leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë”, teksa ftoi demokratët që të japin kontributin e tyre për fitoren e opozitës.
“Ky kuvend hap një kapitull historik për ne, kapitullin e marshit tonë drejt fitores. Shumë diskutojnë dhe pyesin: Po ku mundet Edi Rama? A nuk jemi ne së bashku që e kemi mundur 3 herë atë. Edhe 6 herë të tjera do ta mundim. Por ky marsh, ky udhëtim kërkon nga ne të bëjmë gjithçka për mendjen dhe zemrat e shqiptarëve. Para së gjithash për ata demokratë që mund të jenë të ftohur, mund të jenë edhe në hatërmbetje, edhe të hidhëruar”.
“Sot kemi këtu dhjetëra e qindra delegatë që para 6 Marsit ishim në pozicione të ndryshme. Më lejoni t’i falënderoj ata me mirënjohjen më të thellë për praninë në këtë sallë. Është i mirëpritur çdo demokrat në shtëpinë e tij, por e rëndësishme është që të rendim, të shtrijmë dorën ndaj çdo demokrati që nga viti ‘90 gjer sot, ta ftojmë të kthehet tek kontributi i tij, ta ftojmë të japë kontribut tjetër për fitoren e PD dhe do shihni që ne nuk do jemi, 40 apo 50 mijë, por ju garantoj 2 ose 3-fishi i tyre”.
“Kjo është parti me histori Sot në misionin tonë, hapja, hapja dhe vetëm hapja është dhe do mbetet leva e Arkimedit për të ndryshuar Shqipërinë”.
Duke komentuar marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Aleksandër Vuçiq, Berisha tha se ky i fundit do ketë fatin e Vladimir Putinit në aventurat e tij në Kosovë.
“Rama është njeriu që i bën më shumë tualet Vuçiq. Kurrë s’mund ta shndërrojmë Shqipërinë në epiqendër të luftës së ftohtë të Kosovës. Çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do përballet me Shqipërinë. Atë fat që do pësojë Putini në Ukrainë do ta kesh dhe ti në çdo aventurë tënden në Kosovë dhe kudo tjetër“, tha Berisha.