Dje është zhvilluar derbi i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut mes Shkëndijës së Tetovës dhe Shkupit.
Ky ballafaqim është mbyllur me barazim pa gola, edhe pse vendasit kanë mundur t’i marrin pikët e plota, në rast se në minutat e fundit Lupçe Doriev do shënonte nga pika e bardhë”, raporton Gazeta Enigma.
Megjithatë kjo nuk ishte e tëra nga kjo ndeshje e cila dhuroi edhe skena të turpshme, ku në disa raste u deshtë të ndërprehej loja për shkak konfrontimit të futbollistëve mes vete dhe gjësendeve të hedhura nga tribuna qendrore, gjithashtu u godit edhe arbitri anësor.
Heroi i Shkupit në këtë ndeshje ka qenë portieri Artan Iljazi i cili në castet e fundit priti penalltinë.
Gazeta Enigma e ka kontaktuar portierin nga Kumanova i cili ka folur për incidentin dhe emocionet pasi që priti penalltinë.
Iljazi më parë ka qenë edhe pjesë e Shkëndijës së Tetovës, por që tifozët vendas nuk e kursyen nga sharjet.
“Po kam qenë pjesë e Shkëndijës para dy viteve dhe atje kam kaluar një eksperiencë mjaftë të mirë, në ndeshjen ndaj Shkëndijës kam qenë pak i ofenduar dhe i sulmuar por kështu e ka sporti”, tha Iljazi.
‘Gardiani’ i Shkupit padyshim se ishte heroi i kësaj ndeshje pasi që në fund të ndeshjes priti edhe një penallti.
“Po kam qenë shumë i koncentruar dhe kishe shumë besim në vetvete se do ta prisja penalltinë. Normal, e kishim analizuar gjithë ekipin e Shkëndisë dhe doli me sukses. Emocionet janë të papërshkrueshme sepse ishte një lojë derbi”, shtoi më tutje portieri nga Kumanova.
Për fund portieri 23-vjeçar ka edhe një premtim për tifozët e flaktë të Shkupit, “Shvercerat”.
“I falënderoj pa masë “Shvercerat” të cilët në çdo ndeshje kanë qenë tifozi jonë i 12-të. Në fund edhe ne ua shpërblyem me titullin kampion”, përfundoi Artan Iljazi.
Kujtojmë që KF Shkupi është shpallur kampion në Maqedoninë e Veriut katër javë para mbylljes së kampionatit.
/GAZETA ENIGMA/