Ikonat e Besës së Pejës flasin për gjendjen e klubit pas rënies në Ligën e Dytë

Ikonat e Besës së Pejës flasin për gjendjen e klubit pas rënies në Ligën e Dytë

Klubi Futbollistik “Besa” nga Peja dikur e sundonte në maksimum futbollin kosovar.

Sezonin e kaluar, skuadra pejane ishte pjesë e Superligës, kurse tashmë Besa nuk ka arritur ta sigurojë as qëndrimin në Ligën e Parë të ‘Grupit A’, raporton Gazeta Enigma.

Kjo po konsiderohet një ‘katastrofë’ për klubin me traditë të madhe në futbollin tonë.

KF Besa është klubi i dytë më trofeshëm nga Kosovë pas Prishtinës. Pejanët kanë arritur që ta shpalleshin tri herë radhazi kampion ne vitin 2004-2005, 2005-2006 dhe 2006-2007. Gjithashtu, ata kanë fituar edhe tri here Kupën e Kosovës dhe një herë Superkupën.

Gazeta Enigma i ka kontaktuar dy ish-futbollistë të kohës së artë të Besës, mesfushorin Mensur Durakun dhe portierin Valmir Bytyqin.

Mensur Duraku thotë se është për ‘gjynah’ gjendja e një klubit me traditë siç është Besa.

“Gjendja më e keqe s’ka ku shkon për Besën. Është gjynah për Kosovë e për Pejë me u kanë Besa në Ligën e Dytë. Kush e ka pru klubin në këtë gjendje meriton burim, sepse ka bo hajgare me një qytet. Gjithcka kam fituar me Besën, me dhemb zemra kur e shoh në këtë gjendje, por kështu ka thënë strategu francez i cili pati thënë se Mensur Duraku nuk mundet me luajt më. Dukagjin Gashi nuk mundet, Besnik Morina nuk mundet e kështu me radhë”, tha Duraku për Enigmën.

‘Ikona’ e futbollit kosovar gjithashtu ka drejtuar gishtin tek trajneri francez, Jerome Klein, i cili sipas tij është fajtori kryesor.

“Problemi qëndron tek ai zotëria (francezi) i cili dëshirojke me futbollistë 16-vjecar me luajt në Superligë. Kur me ka pa mu në Ligën e Dytë, kishte thënë se Duraku po mujka hala me luajt. E paqin vetën në qaf, përgjithësia është komplet tek ta”, përfundoi Duraku.

Në anën tjetër, Valmir Bytyqi, është pjesë e klubit pejan si trajner i portierëve.

Bytyqi thotë se gjendja e organizimit të brendshëm është shume e mirë, problemi sipas tij qëndron tek Stadiumi i Qytetit.

“Unë jam në klub aktualisht trajner i portierëve dhe gjendja e organizmit të brendshëm është prej më të mirave në Kosovë. Lojtarët marrin pagat me rregull, ushqehen dy herë në ditë në hotel me 5 yje dhe kem kushte përcjellëse në stadium siç është fitnesi. Problemi për mendimin tim është stagnimi i ndërtimit të stadiumit të qytetit (nuk kam informata pse ka ngec) e qe mendoj është foleja e klubit”, tha Bytyqi për Enigmën.

‘Gardiani’ thotë se rrënjën nga Superliga vitin e kaluar dhe tashmë nga Liga e Parë e ka përjetuar jashtëzakonisht rëndë.

“Unë rrënjën nga Superliga dhe këtë vit nga Liga e Parë e kam përjetuar jashtëzakonisht keq, por klubi tashmë është privat dhe është kryetari i klubit ai që vendos se ku do t’i orjentojë investimet e veta”.

“Klubi që nga privatizimi është orientuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj (vetëm në kombëtaren U19 kemi 6 futbollistë) si dhe dy janë transferuar në Porto dhe sigurisht që kjo e ka edhe koston e vet sepse me lojtarë tërësisht të rinj është e vështirë t’u vihet gjithë barra mbi super e tyre”, përfundoi Bytyqi.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles