Qeveria e Kosovës ka miratuar sot nismën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Sipas ZKM-së, ky vendim e obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Njoftimi i plotë i ZKM-së:
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar në parim Nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën ndërkombëtare “Këshilli i Evropës – Council of Europe”
Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.
Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.