Ikona e boksit shqiptar vdiq më 9 maj 2022, në moshën 67-vjeçare, derisa trupi i pajetë i tij u soll të mërkurën në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po jetonte muajve të fundit.
Homazhet u mbajtën në sallën e sportit të Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, aty ku kaloi kohën e artë, duke triumfuar përballë shumë kundërshtarëve, derisa veshte dorëzat e klubit të Prishtinës.
Homazhe në nderim të kontributit të tij bënë edhe drejtuesit e KOK-ut, presidenti Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, nënpresidenti, Gazmend Maxhuni dhe udhëheqësi i Akademisë Olimpike, Fitim Arifi, si dhe stafi i KOK-ut.
“Është një ditë e rëndë për sportin e Kosovës, kemi humbur një sportist që e ka bërë krenarë gjithë shqiptarinë. Ai do të mbetet përherë kampion në zemrat tona. Xhevdeti ishte pesë herë kampion i ish-Jugosllavisë, ish-anëtar i BE të KOK-ut. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes Peci dhe gjithë komunitetit të sportit, veçanërisht boksit”, tha Krasniqi.
Krahas personaliteteve të larta nga sporti, homazhe bëri edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, bashkë me kryeparlamentarin Glauk Konjufca e ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, të cilët vlerësuan lart karrierën dhe kontributin e Pecit.
Peci dha kontribut edhe për KOK-un, ku në ciklin 2001 – 2005 ishte anëtar i Bordit Ekzekutiv. Ai ishte pesë herë kampion i ish-Jugosllavisë në periudhën 1975 – 1983 dhe dy herë kampion ballkanik 1978 dhe 1981.
Peci do të varroset sot në vendlindjen e tij në fshatin Zhazhë të Mitrovicës, në ora 16:30, ndërsa në ora 19:30 do të mbahen mbledhja komemorative në qendrën e Kulturës në Mitrovicë.