Qeveria jep “aminin” për hapjen e derës së Këshillit të Evropës, sa janë gjasat për anëtarësim?

Qeveria jep “aminin” për hapjen e derës së Këshillit të Evropës, sa janë gjasat për anëtarësim?


Me “aminin” e ekzekutivit të Kosovës, kryediplomatja, Donika Gërvalla nisi të enjten zyrtarisht rrugëtimin e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, duke kërkuar një ulëse në këtë organizatë, shkruan Gazeta “Enigma”.


Se kanë pranuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim e Kosovës në këtë organ, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KE-së, Dusan Vonovic.

“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka thënë ai për “Enigmën”.

Ndërkohë Kryediplomatja Gërvalla e quajti hap historik nisjen e këtij rrugëtimi.


“Dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sot hapëm një kapitull të ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca evropiane”, theksoi ajo.

Cila është rruga e Kosovës drejt KE-së?

Ndonëse po proklamohet si rrugë e lehtë ajo e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, pas përjashtimit të Rusisë nga ky organ, njësoj nuk mendon Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës Andrew Forde.

Ai tha se ka shumë rrugë përpara por që procedura është teorikisht e qartë.

Hapi i parë sipas tij është letra që duhet dërguar nga organet e Kosovës, pastaj votimi procedural në Këshillin Ministror.

Pas kësaj vazhdon Transmetimi në PACE për Opinion, vota thelbësore në Këshill si dhe ftesa në fund që duhet t’i dërgohet organeve të Kosovës për tu bërë plotësisht anëtare.

E këtij hapi që ndërmori Qeveria e Kosovës iu gëzuan edhe përfaqësues opozitar, pa dallim.

Një hap i tillë sipas ish-kryediplomatit Skender Hyseni ka rëndësi të madhe edhe për pavarësinë e Kosovës.

“Aplikimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë i rëndësishëm dhe i mirëseardhur. Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë të shumta dhe kontribuojnë shumë në pavarësinë e saj që të jetë e barabartë me shtetet tjera anëtare”, tha Skender Hyseni për Gazetën “Enigma”.

Ndërkohë ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku e ka komentuar aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se tashmë Kosova i plotëson të gjitha kriteret.

Sipas saj, përjashtimi i Rusisë nga kjo organizatë ia ka hapur derën Kosovës për t’u anëtarësuar.

“Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret dhe tani, me Rusinë e përjashtuar nga organizata, rruga jonë duhet të jetë e qartë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Vendimi për aplikim u mor në mbledhjen e 77-të të Qeverisë së Kosovës që u mbajt këtë të enjte.

“Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj”.

“Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim e Qeverisë.

Çfarë është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Si i promovon të drejtat e njeriut ky Këshill?

Përmes konventave ndërkombëtare. Në to përfshihen Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave, kundër dhunës në familje, si dhe Konventa për krimet kibernetike.

Këshilli monitoron përparimin e vendeve anëtare dhe bën rekomandime përmes trupave të ekspertëve.

Vendet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë më ligje që mundësojnë dënime me vdekje. / Gazeta Enigma.

Related Articles