Diaspora “infuzion” për Kosovën – Çfarë do të ndodhë me pritjet e tyre në pikat kufitare?

Diaspora “infuzion” për Kosovën – Çfarë do të ndodhë me pritjet e tyre në pikat kufitare?

Qershori, korriku dhe gushti njihen si muajt e diasporës në Kosovë, pasi të gjitha qytetet mbushen me bashkëtdhetarët tanë që vinë nga të gjitha anët e botës për t’i kaluar pushimet në vendlindjen e tyre.

Drejtoresha e Institutit “Germin” ka thënë se diaspora është një ndihmës e madhe për Kosovën në të gjitha rastet duke e dëshmuar këtë për disa vite më radhë.

“Diaspora jo vetëm këtë herë, por tash e disa vite me radhë e ka dëshmuar se i ka qëndruar afër Kosovës në të gjitha rastet”, thotë e bindur Sihana Bejtullahu për Gazetën Enigma.

Sipas saj, diaspora përveç në remitanca, në vitet e fundit ka qenë aktive edhe në çështjet politike, duke marrë pjesë edhe në zgjedhje.

Bejtullahu mendon se këtë vit do të ketë ardhje të mërgimtarëve, të cilët do ta vizitojnë vendin e tyre dhe do t’i kalojnë pushimet në Kosovë.

“Ne për dallim nga vendet e tjera të rajonit e kemi pa që në kohën e pandemisë vendet e tjera kanë pasur rënie të remitancave të dërguara prej diasporës, përderisa në Kosovë ka ndodhur e kundërta. Pra, kemi pasur rekord për mjetet e dërguara, veçmas gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë Bejtullahu.

Çfarë do të ndodhë me pritjet e gjata të mërgimtarëve në pikat kufitare?

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci tha për Gazetën Enigma se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë lansuar aplikacionin, i cili iu mundëson mërgimtarëve të shohin kohët dhe pritjet në të gjitha pikëkalimet kufitarë të Kosovës.

Pra, sipas këtij aplikacioni, bashkëatdhetarët mund të informohen në kohë reale dhe mund të orientohen në pikëkalimet me më pak frekuentim.

Dogana në bashkëpunim me MPB kanë lansuar aplikacion i cili ju mundëson bashkëatdhetarve të shohin kohët dhe pritjet në të gjitha pikëkalimet kufitare të Kosovës”, ka thënë ai

Stavileci potencoi se Dogana e Kosovës çdo vit bënë përgatitje për lehtësim të qarkullimit të bashkëatdhetarëve.

“Dogana e Kosovës çdo vit bënë përgatitje për lehtësimin e qarkullimit të bashkëatdhetarëve. Ne gjatë këtij viti presim që të kemi qarkullimin më të shpejt, pasi tani pikekalimi kufitar në merdare është opeative 100%”, ka theksuar Stavileci.

Ndërsa, Bejtullahu thotë se është marrë një vetiniciativë për heqjen e kartonit të gjelbër për mërgimtarët që vijnë në Kosovë, por që sipas saj kjo mbetet në “duart” e qeverisë.

“Është marrë një vendim që të tërhiqet kartoni i gjelbër për personat që vijnë nga diaspora, edhe pse kjo çështje mbetet në duart e qeverisë, por ne do ta vëzhgojmë nga afër dhe do të presim se a do të implementohet apo jo”, ka theksuar ajo.

Nga Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për Gazetën Enigma kanë thënë se për menaxhimin e kufirit bëhen planifikime relevante sipas nevojës.

“Planifikime relevante behën nga Policia e Kosovës për menaxhimin e kufirit dhe aktiviteteve tjera sipas nevojave qe paraqiten, përfshirë lehtësimin ne qarkullim neper pika kufitare apo aktivitete tjera brenda vendit”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ardhja e mërgimtarëve krijon një fluks të madh të qytetarëve në vend dhe si rrjedhojë e kësaj policia kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë shenjat e trafikut rrugor.

“Policia e Kosovës vazhdon të kërkoj nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut rrugor, të ju përshtaten rregullave, kushteve të rrugës,  si dhe të jenë shumë vigjilent. Kujdesi maksimal i pjesëmarrësve në trafik, veçanërisht drejtuesve të automjeteve është i domosdoshëm për  një siguri më të madhe në trafik”, thanë nga policia.

Si pasojë e kësaj, Policia e Kosovës me njësitë e sajë në vazhdimësi ka ndërmarrë dhe është duke ndërmarrë të gjitha veprimet në parandalimin e aksidenteve dhe poashtu ofrimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

Duke u bazuar në deklarimet e vitit të kaluar, për 13 vjet Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitanca. /Gazeta Enigma/.

Related Articles