Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se Ukraina e Kosovës janë dy situata krejt të ndryshme, ndërsa ka bërë thirrje që ajo që ka ndodhur në Kosovë në vitin 1999 të mos lidhet me atë që po ndodh sot në Ukrainë.
“Kur bëhet fjala për Kosovën dhe Serbinë, ato janë vende fqinje. Serbët jetojnë në Kosovë dhe ka shumë gjëra në Kosovë që janë të rëndësishme për Serbinë. Fqinjësia e mirë duhet ta zgjidhë këtë. Mënyra e duhur është dialogu dhe negociatat në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, ka thënë Hill në intervistë për gazetën serbe “Politika”.
Hill ka thënë se të gjitha elementet duhet të jenë në tavolinën e negociatave dhe se nuk mund të negociohet duke thënë “për këtë dua të flasë, e për këtë jo”. Por, ai thotë se ende nuk e ka parë angazhimin e të dyja palëve në këtë drejtim.
“Ne flasim për integrimet euroatlantike, edhe ato janë gjithashtu element në tryezën e bisedimeve. Kur negocion, njëra palë dëshiron një gjë, pala tjetër dëshiron diçka tjetër, por atëherë duhet të flitet për këtë. Dekurajohem kur shoh njërën palë që dëshiron një gjë, por nuk dëshiron që në tavolinën e negociatave të jetë një gjë që dëshiron pala tjetër”, tha Hill.
E Hill ka thënë se Serbia duhet të tregojë se në cilën anë është.
“Ndryshe nga e kaluara kur në Serbi është menduar se ekziston një rrugë e tretë, që Serbia të mos jetë as në Lindje as në Perëndim, por disi e veçantë, të shkojë rrugës së vetë, tash shumica e serbëve mendojnë se ekziston një rrugë e duhur dhe një e gabuar dhe se duhet zgjedhur. Serbët duhet të zgjedhin, dhe mendoj se kanë zgjedhur se e ardhmja është Perëndimi e jo Lindja e padefinuar”, tha Hill./Gazeta Enigma/