Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se i ka bërë të gjitha takimet që i ka synuar t’i ketë gjatë vizitës në SHBA, shkruan Gazeta Enigma.
Ai deklaroi se pati aq shumë takime në qëndrimin më të gjatë se dy javë në ShBA sa fizikisht nuk do të ishte e mundshme të realizonte takime të tjera.
“Në vizitën që kisha në ShBA ishte vizitë që u zhvillua pas tetë vjetëve që nuk kisha qenë në ShBA. Gjatë atyre dy javëve sa isha edhe në Bregun Perëndimor dhe atë Lindor, por edhe në vende sikurse Texasi e Chicago, kam pasë numrin më të madh të mundshëm të takimeve që do të mund të realizoheshin fizikisht për dikë. Jam takuar me 7 senatorë, prej tyre 4 demokratë dhe 3 republikanë, 12 kongresistë, prej tyre 9 demokratë dhe 3 republikanë, kam takuar Këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, në Shtëpinë e Bardhë, shefen e përgjithshme të USAID-it Samantha Poëer, si dhe shefen e përgjithshme të MCC-së Alice Albright. Unë kam shkuar për dy gjëra kryesore – investimet për Kosovën dhe siguri për Kosovën. I kam pasë takimet më të mira për qëllimet që kam pasur”.
Kurti tha se nuk mund të kishte takim më të rëndësishëm në ShBA sesa ai që e kishte me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, në Shtëpinë e Bardhë.
E kur e përmend Shtëpinë e Bardhë thotë se tashmë s’do të duhej të kishte dilema nëse ishte aty ose jo pas reagimit të ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Nëse ju kujtohet katër fytyra kryesore i ka pasë ndërhyrja e NATO-s në ShBA – presidentin Bill Clinton, sekretaren Madeleine Albright, zëdhënësin James Rubin dhe gjeneralin Ëesley Clark, por prapa tyre ka qenë një figurë e jashtëzakonshme që është shumë e njohur për ata që i kanë ndjekur zhvillimet ose që i bëjnë studimet e ky është Këshilltari për Siguri Nacionale i ish-presidentit Bill Clinton, Sandy Berger, që në vend të tij tash është Jake Sullivan dhe unë e kam takuar atë”.
“Takim më të rëndësishëm për sigurinë për Kosovën nuk mund të kesh në ShBA dhe u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë. Dilemat besoj që ua ka hequr edhe ambasadori amerikan, nëse ndokujt nuk ua heq dilemat as ambasadori amerikan më duhet ta pranoj që e kam vështirë t’iu ndihmoj”.