Giresse: E dimë çka duhet të bëjmë për të ecur para

Giresse: E dimë çka duhet të bëjmë për të ecur para


Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, nuk ka vënë në dyshim përkushtimin e lojtarëve për të dhënë më të mirën për fanellën e shtetit. Giresse ka treguar se si përfaqësuesja mbeti me vetëm 17 lojtarë për ndeshjen vendimtare ndaj Greqisë, ndërsa ka thënë se e kanë të qartë çka duhet të bëjnë për të ecur para.

Kosova të dielën mbrëma në Volos pësoi 2:0 nga Greqia dhe kështu mbeti pa gjasa për të fituar grupin në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kosova ka fituar ndaj Qipros e Irlandës së Veriut, por i humbi dy ndeshjet me Greqinë. Në shtator luan sërish me Irlandën e Veriut dhe Qipron, por është pa gjasa për ta zënë Greqinë në krye të grupit. Greqia avanvcon në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe potencialisht do të paraqitet në plejofin për kualifikim në Evropianin 2024.

Francezi me përvojë, Giresse, e ka vlerësuar mesatar bilancin e ndeshjeve të qershorit.

“Është bilanc mesatar, katër ndeshje dy fitore. Ka mundur të jetë pak më mirë. Ndoshta kemi mundur të shmangim humbjen nga Greqia në Prishtinë. Loja në Volos ishte më delikate. Por rrethanat ishin të veçanta për ne dhe prapë se prapë ishim mirë”, ka thënë Giresse të hënë për Kohën.

Giresse në muajin shkurt mori drejtimin e Kosovës. E drejtoi përfaqësuesen në dy miqësoret e marsit dhe tani në katër ndeshjet e Ligës së Kombeve të luajtura këtë muaj. Dhe tani ka pakënaqësi publike ndaj punës së tij. Por Giresse thotë se te Kosova e dinë çka duhet të bëjnë për të avancuar para. Ai vlerëson se vendi i parë në grup nuk ishte lehtë i arritshëm.

“Vërtetë llogaritja duket shumë e komplikuar. Për të dalë në vendin e parë në grup do të duhej një kampanjë katastrofale nga Greqia. Ne e shohim që kemi ende punë për të bërë për të siguruar kualifikimin në gara si Liga e Kombeve. Kështu që në e dimë se çfarë mbetet për të bërë për të ecur përpara. Për ta bërë këtë ekip që të përparojë”, ka shtuar 69-vjeçari.

Sipas Giresses, Greqia ka shfaqur nivel më të lartë në grup. Greqia i ka fituar të gjitha katër ndeshjet e deritashme.

“Greqia ishte ekip i konsoliduar, kolektiv i organizuar. Grekët teknikisht ishin të fortë, ndaj edhe janë të parët. E thashë që kemi mundur ta shmangim humbjen në shtëpi, nëse do të realizonim mundësitë që kishim në fillim”.

Ndaj Greqisë në Volos, Giresse kishte vetëm 17 lojtarë në dispozicion. Aktivizoi 15 prej tyre, ndërsa vetëm dy portierët rezervë nuk e fituan rastin. Giresse e ka përsëritur se fillimisht i kishte ftuar 29 lojtarë. Ai ka pranuar se situata në Volos ishte e rrallë. Në stol te Kosova nuk ishte asnjë mbrojtës e asnjë qendërsulmues.

“Fillimisht kemi dërguar 29 ftesa për lojtarët. Në fillim të grupimit i kishim 23 lojtarë, ndërsa gjashtë i kemi pasur në listë në rast nevoje. Ndeshjet filluan dhe bashkë me to erdhi një grumbull suspendimesh e lëndimesh. Sidomos për ndeshjen e fundit. Pas ndeshjes me Irlandën e Veriut erdhëm në situatë ku pesë lojtarë nuk i kishim në dispozicion. Tre ishin të suspenduar e dy të lënduar”, ka theksuar Giresse. Ai thotë se nuk kanë munduar të ftojnë lojtarë që nuk janë aktualisht me klube, por janë në pushime kushedi në cilin vend. Thotë se situata nuk ishte më e mira dhe se lëndimet ishin goditje e rëndë për përfaqësuesen.

“Jam i bindur se fytyra e përfaqësueses do të ishte krejt tjetër, nëse në Volos do të kishim në dispozicion lojtarët që na munguan për shkak të lëndimeve dhe pezullimit”, ka theksuar Giresse.

Ai ka përmendur edhe njëherë largimin e Edvin Kurtulushit për te Suedia, ndërsa me sjelljet e lojtarëve të tjerë është i kënaqur.

“Të gjithë lojtarët sillen mirë. Nuk është e lehtë në këtë periudhë të qëndrosh i mobilizuar për ndeshje, pas një edicioni të gjatë dhe të vështirë me situata të ndryshme. Nuk kishte refuzime. Unë fola me një lojtar që më tha se ishte i lumtur që mund të vinte me Kosovën dhe në momentin e fundit u largua te Suedia. Mirëpo këtu nuk mund të bëjmë shumë pos të pranojmë situatën dhe të vazhdojmë”, ka theksuar Giresse.

Related Articles