Për shkak se Dardan Molliqaj kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe i akuzuari tjetër Fatos Sahiti kanë munguar në seancën e së mërkurës, ka dështuar sërish të nis gjykimi në rastin ku të njëjtit ngarkohen për përleshjen fizike mes tyre dhe deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, pas një debati televiziv më 2019. Ndaj Molliqajt dhe Sahitit, gjykata ka lëshuar urdhërarrest.
Në seancë mungoi edhe i dëmtuari Haki Abazi, për të cilin gjykatësja e rastit Vlora Pacolli-Rexhepi tha se gjykata ka pranuar një parashtresë, përmes së cilës i njëjti ka njoftuar se është i angazhuar jashtë vendit.
Në seancë e pranishme ishte avokatja e Abazit, Sadije Mjekiqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se gjykata më 1 qershor ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, i cili do të mbetet aktiv për një vit.
Në këto rrethana, seanca u shty në kohë të pacaktuar.
Gjykatësja Pacolli-Rexhepi bëri të ditur se për të akuzuarin Dardan Molliqaj, urdhërarresti mbetet aktiv, që i njëjti të sillet në gjykatë pas arrestimit, kurse për të akuzuarin Sahiti, në bazë të arsyetimeve të dhëna nga shërbimi postar dhe Policia e Kosovë, ka dyshime se i njëjti i është shmangur thirrjes.
Andaj, për të akuzuarin Sahiti, lëshohet urdhërarrest që të arrestohet dhe të sillet në çdo kohë në gjykatë.
Seanca e radhës do të vazhdojë çdo kohë pas zbatimit të urdhërarresteve të lëshuara nga gjykata.
Ndryshe, edhe seanca e paraparë për 1 qershor kishte dështuar për shkak se policia nuk e kishte zbatuar urdhrin e gjykatës për ta sjellë Dardan Molliqajn në seancë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.
Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Presing” të studion së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, me të dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirrë të dëmtuarin Haki “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma ne këmbë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këtij sulmit i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të demtuarin me grusht deri sa i dëmtuari arrin të ju largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së televizionit T7, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë.